Kërkoi 25 mijë euro ryshfet nga qytetari, suspendohet zyrtari i Policisë së Kosovës

Kërkoi 25 mijë euro ryshfet nga qytetari, suspendohet zyrtari i Policisë së Kosovës

Aktuale January 22, 2020 - 16:52
Po ashtu është bërë e ditur se gjatë arrestimit te i dyshuari janë gjetur 12 mijë e 500 euro të cilat dyshohet se D.K. i kishte pranuar nga viktima.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka suspenduar nga puna zyrtari npolicor të Drejtorisë së Mitrovicës së Veriut, D.K., pasi dyshohet se ai kishte kërkuar 25 mijë euro nga një qytetar

Kjo është bërë e ditur nga një komunikatë e IPK’së, ku thuhet se zyrtari policor kishte kërkuar një shumë të konsiderueshme të parave (25.000 euro) nga një qytetar për t’i bërë të mundur transferimin e pajisjeve të një fabrike nga komuna e Zveçanit në komunën e Graqanicës.

“Nga hetuesit e IPK-së ka filluar hetimi penal me dyshimin se nga zyrtari policor janë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”. Bazuar në Kodin e Procedurës Penale hetuesit e IPK-së kanë siguruar urdhëresën për masa të fshehta nga Gjykata Themelore e Mitrovicës duke përfshirë këtu edhe masat e fshehta të hetimit respektivisht simulimit të veprës penale”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu është bërë e ditur se gjatë arrestimit te i dyshuari janë gjetur 12 mijë e 500 euro të cilat dyshohet se D.K. i kishte pranuar nga viktima.

“Gjatë arrestimit tek i dyshuari janë gjetur 12.500 euro (dymbëdhjetë mijë e pesëqind euro) të cilat dyshohet që i ka pranuar nga ankuesi/viktima.

 Të dyshuarit të arrestuar nga hetuesit e IPK-së me vendim të prokurorisë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thekson IPK’ja.