Rikthimi i Thaçit
Foto; Laura Hasani

Rikthimi i Thaçit

Aktuale January 25, 2020 - 07:33
Pas disa muajsh pauzë, tërheqje nën hije nga aktiviteti politik ofanziv, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është rikthyer furishëm në skenën politike. Ditëve të fundit kreu i shtetit u imponua duke e shfrytëzuar edhe vizitën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë –Serbi, Richard Grenell, për ta marrë vëmendjen e medieve dhe të publikut, shkruan sot gazeta “Zeri”.
Image

Për disa muaj radhazi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk u pa aktiv në publik. Por kreu i shtetit së fundi është riaktivizuar hovshëm në skenën politike. Të martën mbrëma në Kosovë mbërriti i dërguari i posaçëm i SHBA- së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, shkruan sot gazeta "Zëri".

Vetëm dy orë para takimit zyra e presidentit njoftoi se Thaçi do të zhvillojë darkë pune me Grenellin. Kësisoj, përmes një paraqitjeje për medie bashkë me zyrtarin e lartë amerikan, Thaçi rrëmbeu i pari ekskluzivitetin, pasi që paraqitjet e tjera të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi (pas takimeve që pati me liderët e partive) u mbajtën tek ditën e nesërme të mërkurën.
Riaktivizimin e tij presidenti i Republikës së Kosovës e shpërfaqi edhe në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit, ku takoi disa liderë të ndryshëm botërorë. Pasiv gjatë këtij muaji kreu i shtetit nuk u tregua as rreth zhvillimeve të brendshme politike. Përkundrazi, gjatë janarit ai shtoi presionin edhe mbi partinë fituese të zgjedhjeve Lëvizjen Vetëvendosje, duke i dhënë asaj ultimatum për propozimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë.
Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se riaktivizimi i presiden tit të Kosovës vjen në kuadër të nismës së administratës amerikane për t’i rifilluar negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tyre, tashmë ka zëra se janë duke u zhvilluar intensivisht bisedat e fshehta për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Ndaj, po qe se LVV-ja dhe LDK-ja shtyjnë formimin e qeverise së re, presidenti Thaçi, sipas analistëve, do të vazhdojë të jetë faktor i rëndësishëm në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.
Riaktivizimi, i lidhur me çështjen e dialogut
Pas darkës që pati me Richard Grenellin, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se me të dërguarin e posaçëm të presidentit të SHBA-së Donald Trumpin për dialogun u diskutua edhe për pro- cesin e negociatave me Serbinë. Roli i SHBA-së, siç u shpreh kreu i shtetit, mbetet i pazëvendësueshëm në këtë pro- ces.
“Ne biseduam për situatën politike dhe ekonomike në vend e në rajon, si dhe për rinisjen e pakushtëzuar të dia- logut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Roli amerikan është i pazëvendësueshëm në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe ne do të vazhdojmë të jemi partner besnik i SHBA-së në jetësimin e intere- save strategjike në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Thaçi.
Gjithashtu i pari i shtetit pohoi se lidershipi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të jetë vendimtar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
Ndërkohë, teksa ka folur rreth këtyre zhvillimeve, njohësi i çështjeve politike Blerim Vela ka konsideruar se rikthimi i presidentit Hashim Thaçi ka të bëjë pikërisht me iniciativën e SHBA-së për ta rinisur procesin e bisedimeve me Serbinë.

“Aktivizimi i presidentit të Kosovës është në kuadër të nismës së administratës amerikane për t’i rifilluar negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Vizita e ambasadorit Grenell si i dërguar i veçantë i presidentit Trump është në vazhdën e intesifikimit të përgatitjeve për rifillimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Takimet e ambasadorit Grenell me udhëheqësit e institucioneve dhe të partive kryesore politike sipas tij paraqesin sinjal se administrata amerikane po synon përcaktimin e kornizës politike dhe ekonomike, që lidhet me marrëveshjen gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë. Në kuadër të kësaj, siç Vela është shprehur, kreu i shtetit po mëton ta lu- ajë rolin kyç në procesin e bisedimeve.

"Presidenti i Kosovës synon të luajë rol aktiv në procesin negociator, sidomos në situatën kur ende nuk kemi krijim të qeverise së re. Kjo situatë i ka krijuar hapësirë presidentit të Kosovës që të pozicionohet si njëri ndër pjesëmarrësit kyçë të procesit të ri negociator. Krijimi i qeverisë së re nënkupton se presidenti duhet t’i bashkërendojë veprimet e tij në përputhje me qëndrimet e shumicës së re qeveritare”, ka shtuar ai.

Së këndejmi, nëse LVV-ja dhe LDK-ja shtyjnë formimin e qeverise së re, presidenti Thaçi, sipas tij, do të vazhdojë të jetë faktor i rëndësishëm në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Kërkimi i modaliteteve për kompromiset e fundit Kosovë - Serbi.
Para pak ditësh, me ndërmjetësimin e amerikanëve, u nënshkrua marrëveshja për hapjen e linjës direkte ajrore Prishtinë - Beograd. Menjëherë pas kësaj pati kritika të shumta për jotransparencë. Por publicisti Shkelzen Maliqi konsideron se SHBA-ja qëllimisht është duke i ikur transparencës, në mënyrë që të ecet drejt vazhdimit të dialogut dhe normalizimit të raporteve Kosovë - Serbi.

“Këtë strategji po e përdor diplomacia amerikane, të cilës po i ngutet që nga viti i kaluar. E ka thënë këtë shumë herë hapur dhe nuk dëshiron të paralajmërojë se çka po punohet, sepse kundërshtarët e vazhdimit të dialogut në Serbi dhe në Kosovë, kur ai po bëhet transparent, po gjejnë mënyra për t’i penguar dhe për t’i bllokuar marrëveshjet e radhës”.

Madje, sipas Maliqit, ka zëra që thonë se negociatat mes Kosovës dhe Serbisë janë duke vazhduar fshehtas, ndonëse zyrtarisht ky proces ishte ndërprerë para më shumë se një viti.

“Në qarqet e informuara mirë po thuhet se janë duke u zhvilluar intensivisht bisedat e fshehta për finalizimin e marrëveshjes politike mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin se po kërkohen formulimet dhe modalitetet për kompromiset e fundit, në mënyrë që të mos ketë më bllokada dhe kushtëzime as nga Beogradi e as nga Prishtina”, ka nënvizuar ai.

Ndërkaq Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se SHBA-ja me angazhimin e saj arriti ta kthejë Serbinë në tryezën e dialogut edhe pse procesi i negociatave ishte i pezulluar dhe Serbia vazhdonte të insistonte se nuk duhej t’i vazhdonte bisedimet me Kosovën pa u pezulluar taksa.

“Ajo u ul në tryezën e bisedimeve dhe nënshkroi një marrëveshje të re, kjo krejt falë angazhimit të SHBA-së, që po luan një rol shumë më aktiv në procesin e dialogut, pra është përfshirë direkt në këtë pro- ces”, ka theksuar ajo.

Ndërkohë, takimi i parë në kuadër të fazës finale të dialogut Kosovë - Serbi u mbajt më 24 qershor 2018. Pak pas fillimit të kësaj etape presidenti Hashim Thaçi nisi ta promovojë në vazhdimësi idenë për korrigjimin e kufirit me Serbinë. Korrigjimi sipas tij do të duhej të ndodhte në kuadër të marrëveshjes finale. Për një ide të tillë ai qe kundërshtuar ashpër nga partitë politike, nga kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, si dhe nga disa shtete të fuqishme të botës, siç është Gjermania../Zëri