Paralajmërohet marrëveshja për linjën hekurudhore Prishtinë - Beograd

Paralajmërohet marrëveshja për linjën hekurudhore Prishtinë - Beograd

Aktuale January 25, 2020 - 08:07
Pak ditë pas arritjes së marrëveshjes për hapjen e linjës direkte Prishtinë - Beograd është dhënë paralajmërimi se shumë shpejt do të arrihet edhe marrëveshja për vendosjen e linjës hekurudhore Kosovë - Serbi. Gjersa ka njoftuar rreth kësaj, emisari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se negociatat rreth kësaj çështjeje do të zhvillohen në Berlin të Gjermanisë të hënën e javës që vjen, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Image

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dia- logun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se pala kosovare dhe ajo serbe janë dakorduar ta arrijnë marrëveshjen për vendosjen e lin- jës hekurudhore mes dy vendeve, shkruan gazeta "Zëri".

Pas një takimi që pati të premten me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Grenelli tha se më 27 janar të këtij viti grupet punuese nga Kosova dhe nga Serbia do të udhëtojnë për në Berlin për të biseduar me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun rreth kësaj çështjeje.

Gjatë ditës së djeshme emisari special amerikan për procesin e negociat- ave Kosovë - Serbi tha se SHBA-ja është duke bërë përpjekje për një të ardhme më të mirë për qytetarët e të dyja vendeve, të Kosovës e të Serbisë. Paralajmërimi publik i Grenellit për vendosjen e linjës hekurudhore erdhi katër ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për hapjen e linjës direkte ajrore Prishtinë - Beograd.

Edhe kjo marrëveshje u arrit me ndërmjetësimin e amerikanëve në një ceremoni në Ambasadën e SHBA-së në Berlin, ku i pranishëm ishte edhe Richard Grenelli.

Thaçi përshëndet hapin drejt marrëveshjes për linjën hekurudhore

Pak pas deklaratës së Richard Grenellit, ku njoftoi rreth linjës hekurudhore, reagoi presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i cili përshëndeti tentimet për arritjen e marrëveshjes për vendosjen e linjës heku- rudhore Prishtinë - Beograd.

“I përshëndes përpjekjet për ta rifunksionalizuar linjën hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë”, u shpreh ai, gjersa falënderoi presidentin e SHBA-së
 

Donald Trumpin, si dhe të dërguarin special Richard Grenellin për përkushtimin në ndërtimin e paqes dhe të prosperitetit në rajon.

Kreu i shtetit gjithashtu ka mirëpritur edhe marrëveshjen për hapjen e linjës direkte ajrore Prishtinë - Beograd.

Vuçiq: Taksa të hiqet, e pakuptimtë të kemi qarkullim hekurudhor pa mallra

Gjersa ka folur rreth dakordimit mes palës kosovare dhe asaj serbe rreth vënies së linjës hekurudhore, Grenelli tha se tashmë ekziston një marrëveshje në parim lidhur me këtë çështje.

“Ne kemi një marrëveshje në parim dhe do të takohemi në Berlin të hënën. Unë gjithashtu e diskutova këtë çështje me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, me liderët që po përpiqen ta formojnë qeverinë e Kosovës, si dhe me presidentin Vuçiqin. Tani le të ulemi dhe të dalim me një marrëveshje për hekurudhat”, deklaroi Grenelli.

Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit që pati dje me Grenellin tha se marrëveshja do të jetë e ngjashme me atë të hapjes së linjës direkte ajrore Prishtinë - Beograd, e cila u nënshkrua më 20 janar të këtij viti.

“Bisedova për lidhjen e mëtejshme infrastrukturore midis Prishtinës dhe Beogradit. Kemi biseduar edhe për vendosjen e linjës hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit. Lidhur me këtë deklarova se është e rëndësisë së madhe që taksa të hiqet, sepse do të ishte e pakuptimtë të kemi qarkullim hekurudhor pa mallra”.

Ai me këtë rast tha se Serbia ka pësuar humbje prej 435 milionë eurosh vetëm gjatë një viti si pasojë e vënies së taksës nga autoritetet e Kosovës.

“Më shumë se 1 milion euro kemi pasur humbje në baza ditore. Kompanitë tona ushqimore janë dëbuar nga tregu i Kosovës”, shtoi Vuçiqi.

Ndërkohë, gjatë vizitës që pati në Kosovë edhe Grenelli kërkoi që taksa ndaj Serbisë të hiqet. Por kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, përsëriti edhe një herë se tarifa nuk hiqet derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Grenell: Tërhiqemi nëse palët s’lëvizin

I dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, gjatë konferencës së përbashkët me kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiq, tha dje se nëse palët negociuese nuk arrijnë marrëveshje mes vete, atëherë SHBA-ja do të tërhiqet.

“Nëse palët vlerësojnë se nuk kanë për çfarë të bisedojnë dhe nuk shohin ndonjë zgjidhje politike të zbatueshme, atëherë do të tërhiqemi dhe unë do të shkoj për t’u marrë me diçka tjetër. Por ajo që ka rëndësi është se po e ndiejmë një lloj entuziazmi aktualisht dhe kemi shpresë”, potencoi Grenelli.

Sidoqoftë, Grenelli u shpreh optimist se do të ketë një marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve. Lidhur me këtë ai tha se diplomacia e presidentit Trump është duke punuar mjaft shumë.
Lidhur me vendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë - Beograd u deklarua dje edhe Ambasada e SHBA-së në Beograd, e cila tha se detajet rreth marrëveshjes për linjën hekurudhore do të negociohen në fillim të javës që vjen.

"Në vazhdën e lid- hjes së parë të drejtpërdrejtë ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës në më shumë se dy dekada Grenelli njoftoi sot se të gjitha palët ranë dakord të rivendosin edhe lidhjet hekurudhore. Detajet do të negociohen të hënën në Berlin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Gjatë vizitës në Beograd Grenell kërkoi nga pala serbe të ndalet fushata për tërheqjen e njohjeve në drejtim të Kosovës. Por Vuçiqi tha se Serbia nuk e pranon barazimin e tërheqjes së njohjeve me taksën e vendosur nga Kosova.

Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i presidentit Trump nuk ka pranuar të japë ndonjë afat rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe të asaj parapake, që u arrit në Berlin.

“Sa i përket pyetjes suaj për afate kohore, unë jam një i mbijetuar i kancerit dhe nuk ia kam idenë se çfarë mund të ndodhë muajin e ardhshëm ose javën e ardhshme. Unë do të punoj fort sot për sot dhe do të bëj përpjekje për të lëvizur përpara. Nuk kam kurrfarë ideje se si ta parashikoj të ardhmen. Por mund të them se po ndiejmë një lloj entuziazmi dhe energjie për t’i filluar diskutimet e për të pasur progres”, është shprehur ai.

Para pak ditësh në Berlin është nënshkruar Marrëveshja për hapjen e linjës ajrore Prishtinë - Beograd.

Me ndërmjetësimin e amerikanëve delegacionet, ai nga Kosova dhe ai nga Serbia, marrëveshjen në fjalë e kanë firmosur me përfaqësuesit e kompanisë gjermane “Lufthansa”, e cila do të operojë në këtë linjë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë quajtur fitore këtë marrëveshje, por shoqëria civile në Kosovë ka konsideruar se ende ka shumë paqartësi sa i përket kësaj çështjeje. Marrëveshja në fjalë u nënshkrua më 20 janar 2020./Zëri