Partitë politike me borxh deri në fyt, kërcënohen me përmbarim

Partitë politike me borxh deri në fyt, kërcënohen me përmbarim

Aktuale January 25, 2020 - 08:35
31 janari është data e fundit deri kur partitë politike në vend, kanë kohë që t`i paguajnë borxhin prej 360 mijë euro PZAP-it, për gjobat e shqiptuara, gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar. Në rast që të njëjtat nuk i paguajnë gjobat në kohën e përcaktuar, PZAP-i mund të iniciojë procedurën e përmbarimit
Image

Gati katër muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, partitë politike në vend kanë dështuar që të kryejnë obligimet financiare ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), shkruan sot gazeta "Zëri".

Shqiptimi i gjobave për partitë politike, u kushtoi atyre mbi 360 mijë euro, teksa vetëm disa parti kanë filluar pagesat e tyre. Katër parti kanë paguar në tërësi ato, një parti ka paguar gati gjysmën e borxhit dhe shtatë të tjera nuk kanë paguar ende asnjë cent. Në mesin e partive politike që nuk i kanë paguar ende gjobat janë: Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që dolën të parat në zgjedhjet e nivelit qendror. PZAP-i në rast të mospagimit të borxheve nga partitë politike, në kohën e paraparë, pra deri më 31 janar të këtij viti, ka të drejtën e inicimit të procedurës së përmbarimit. 

Në ndërkohë PZAP-it i kanë mbetur borxh edhe dy parti qysh nga Zgjedhjet Lokale të vitit 2017. Subjekti politik ALTERNATIVA është gjobitur me 15 mijë e 450 euro, dhe deri me tani ka paguar 13 mijë e 950 euro, ndërsa subjekti politik KTAP është gjobitur me 2 mijë e 200 euro dhe nuk e ka paguar ende shumën e borxhit. Ndaj këtij subjekti është iniciuar procedura e përmbarimit për arkëtimin e borxhit. 

Mbi 360 mijë euro gjoba për partitë politike

Partitë politike në vend nuk u kanë shpëtuar gjobave të PZAP-it, gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit. Mbi 360 mijë euro ka qenë shifra e gjobave tëshqiptuara për partitë në vend. 

“Për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, PZAP-i ka shqiptuar gjoba ndaj subjekteve politike në shumë prej 360 mijë euro”, ka bërë të ditur për “Zërin”, Mulë Desku, kryesues i sekretariatit te PZAP-it. 

Deri më tani, sipas Deskut, partitë politike, kanëpaguar vetëm 84 mijë e 900 euro, teksa pjesa tjetër nuk është paguar ende. 

“Subjektet politike deri me tani kanë paguar 84 mijë e 900 euro gjoba. Aktualisht shuma e gjobave të papaguara të subjekteve politike është gjithsej 275 mijë 100 euro. PZAP-i është duke pritur reflektimin e subjekteve politike që t`i paguajnë gjobat”, ka thënë ndër të tjera ai. 

Pesë parti kanë filluar larjen e borxhit

Partia Demokratike  e Kosovës (PDK), Lista Serbe, Partia e Goranëve, Partia Liberale Egjiptiane dhe Partia Iniciativa e Re Demokratike  e Kosovës kanë filluar të paguajnë paratë e gjobave. PDK-ja, sipas Deskut, ka paguar pothuajse gjysmën e tyre. 

“Partia Demokratike e Kosovës nga 100 mijë e 100euro, ka paguar 45 mijë euro. Ende ka pa paguar edhe 55 mijë e 100 euro”, ka thënë ai. 

Ndërsa sipas Deskut, katër partitë tjera të lartcekura kanë paguar në tërësi ato. 

“Lista Serbe i ka paguar të gjitha gjobat 36 mijë e 500 euro. Partia e Goranëve ka paguar në tërësigjobat prej 1 mijë e 100 euro. Partia Liberale Egjiptiane ka paguar në tërësi gjobat 1 mijë e 100euro. Partia Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës – IRDK ka paguar në tërësi gjobat prej 1 mijë e 200 euro”, ka bërë të ditur Desku. 

LDK, LVV, AAK, Nisma dhe AKR nuk e kanë paguar asnjë cent

Në anën tjetër, nga të dhënat e publikuara nga PZAP-i, rezulton se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni AAK – PSD , ai Nisma – AKR – PD e parti tjera më të vogla, nuk i kanë paguar ende asnjë cent të gjobave.  

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka borxh 74 mijëe 850 euro. Lëvizja Vetëvendosje ka borxh 14 mijëe 100 euro. Koalicioni AAK-PSD ka borxh 89mijë e 600 euro. Koalicioni Nisma- AKR- PD ka borxh 33 mijë e 900 euro. Koalicioni Sloboda ka borxh 5 mijë e 100 euro. VAKAT ka borxh 1 mijë e 100 euro”, është bërë e ditur nga PZAP-i. 

PZAP-i paralajmëron marrjen e parave me përmbarues

Kryesuesi i i sekretariatit te PZAP-it, Mul Deku ka thënë për “Zërin” se në rast që partitë politike nuk i paguajnë gjobat në afatin kohorë të përcaktuar, atëherë mund të iniciohet procedura e përmbarimit. 

“Në fillim të këtij vitit janar –shkurt, subjektet politike do ti paralajmërojmë që këto gjoba ti paguajnë, nëse edhe pas paralajmërimit nuk i paguajnë gjobat, atëherë ndaj të gjitha subjekteve qe nuk i paguajnë gjobat e tyre pas kalimit të afatit të përcaktuar në paralajmërim, PZAP-i do të inicion procedurën e përmbarimit të këtyre gjobave përmes përmbaruesit privat”, ka thënë ai. 

Ndër të tjera, Desku përmendi edhe paralajmërimin që u është bërë partive politike për kohën se deri kur duhet që ti lajnë borxhet. 

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, në fillim të këtij viti ka njoftuar/paralajmëruar subjektet politike që brenda 15 ditëve kalendarike duke filluar nga data 17 Janar deri me 31 Janar 2020, të paguajnë gjobat e shqiptuara nga PZAP-i ndaj tyre për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 06 tetorit 2019, në të kundërtën PZAP-i do të jetë i detyruar që të zbatoj ligjin e aplikueshëm, respektivisht do të mund të shqipton dënime shtesë për secilin vendim veç e veç, si dhe do të zbatoj ligjin e aplikueshëm të procedurës përmbarimore nr. 04/L-139”, ka thënë tutje ai. 

Dy parti politike i kanë borxh PZAP-it qysh nga Zgjedhjet Lokale të 2017-ës

Desku ka pohuar për “Zërin”, që dy parti i janë nëborxh PZAP-it qysh nga viti 2017. këto parti nuk kanë arritur që t`i paguajnë në tërësi gjobat e shqiptuara në atëkohë. 

“Nga Zgjedhjet Lokale të vitit 2017 dy subjekte politike ende nuk i kane paguar gjobat. Subjekti politik ALTERNATIVA është gjobitur me 15 mijë e 450 euro, deri me tani ka paguar 13 mijë e 950euro ndërsa pjesën tjetër të borxhit në shumë prej 1mijë e 500 euro do ta paguaj me këstin e fundit sipas një marrëveshje/ujdie të arritur në mes të PZAP-it dhe Subjektit Politik Alternativa. Subjekti politik KTAP është gjobitur me 2,200.00 € dhe nuk e ka paguar shumën e borxhit. Ndaj këtij subjekti është iniciuar procedura e përmbarimit. Subjekti politik ka ushtruar prapësim kundër urdhrit për përmbarim ne Gjykatën Themelore ne Prizren e cili është hedhur si i pakohshëm”, ka bërë të ditur Desku. 

Spahija: PZAP-i mund të iniciojë procedurën e përmbarimit

Florent Spahija nga KDI-ja, i ka thënë “Zërit”, se numri i gjobave për partitë politike gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit, është konform me numrin e shkeljeve që i kanë bërë ato. 

“Gjobat për partitë politike janë konform me numrin e shkeljeve që i kanë bërë ato, madje konsideroj që ka pasur shkelje edhe më shumë e qënuk kanë mundur të evidentohen dhe ë dërgohen e të bëhen gjoba për subjektet politike.”, ka thënë Spahija. 

Sipas tij është i nevojshëm edukimi i partive politike për respektimin e kodit të etikës dhe atij të mirësjelljes. 

“Eshtë e rëndësishme që subjektet politike duhet tëedukohen në atë formë që mos ta shkelin kodin e etikës, ose kodin e mirësjelljes gjatë pragut zgjedhor në çfarëdo forme. Subjektet politike, po ashtu, po i shfrytëzojnë veturat zyrtare, dhe shërbyesit civil në fushatë. Mendoj që subjekteve politike duhet tu ndalohet një gjë e tillë”, ka thënë Spahija. 

Duke folur për mospagimin e gjobave që janë shqiptuar gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit, Spahija theksoi se PZAP-i ka të drejtë që në rast se partitë politike nuk i paguajnë ato gjoba, të iniciojë procedurën e përmbarimit. 

“Për sa i përket pagesës së gjobave që janëshqiptuar, ato e kanë nja afat të pagimit. Nëmomentin që subjektet politike kanë paratë që u ndahen në emër të demokratizimit të tyre nga Kuvendi i Kosovës, atëherë unë konsideroj qëPZAP-ja mund ta bëj dërgimin e atyre vendimeve edhe tek përmbaruesi”, ka thënë Spahija./Zëri