Prishtinës i teprojnë 30 milionë euro, investimet kapitale në fund të pusit

Prishtinës i teprojnë 30 milionë euro, investimet kapitale në fund të pusit

Aktuale January 27, 2020 - 08:07
Komuna e Prishtinës edhe në vitin e kaluar ka dështuar pothuajse në tërësi në realizimin e ndonjë projekti  më të madh
Image

Komuna e Prishtinës ka dështuar t’i përmbushë objektivat buxhetore të vitit paraprak. Sa u përket investimeve kapitale, nga Komuna është shpenzuar vetëm 40 për qind e buxhetit të paraparë, teksa kanë tepruar 30 milionë euro. Kuvendarët opozitarë akuzojnë ekskluzivisht për këtë gjendje kryetarin Shpend Ahmeti, shkruan Zëri.

Pavarësisht se kishte një buxhet relativisht të madh, i cili siguronte investime kapitale për t’u shënuar, Komuna e Prishtinës edhe në vitin e kaluar ka dështuar pothuajse në tërësi në realizimin e ndonjë projekti  më të madh, që do të linte gjurmë në planin investues. Nga 46 milionë euro sa janë ndarë vjet për këtë kategori janë shpenzuar afër 19 milionë euro, duke bërë që të ketë ngecje drastike të investimeve për projekte kapitale.

Zyrtarë nga organizata Iniciativa për Progres (INPO), të cilët monitorojnë punën e Komunës, kanë ngritur zërin ndaj kësaj gjendjeje që është krijuar në Komunë, teksa nga kryetari i saj Shpend Ahmeti dhe nga kryesuesi i Kuvendit Komunal Agim Kuleta kanë kërkuar t’ua bëjnë një analizë të hollësishme arsyeve të mosshpenzimit të buxhetit në projektet kapitale dhe t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për përmirësimin e punës në realizimin e buxhetit. Në ndërkohë, nga kuvendarët opozitarë është theksuar se fajtorë për krijimin e kësaj gjendjeje është vetë kryetari Ahmeti. Ata janë shprehur skeptikë se kjo gjendje mund të ndryshojë gjatë 2020-s, teksa theksuan se trendi i rënies së investimeve kapitale në Prishtinë vetëm sa po thellohet.

INPO: Komuna e Prishtinës shpenzon vetëm 40% të buxhetit për investime kapitale

Iniciativa për Progres (INPO) ka shprehur shqetësimin për mungesën e investimeve në projektet kapitale, si dhe për teprimin e tepërt të buxhetit komunal. “Komuna e Prishtinës shpenzon vetëm 40 për qind të buxhetit për investime kapitale, rreth 30 milionë euro mbesin të pashpenzuara. Organizata INPO shpreh shqetësim ndaj realizimit të ulët të buxhetit për investime kapitale në komunën e Prishtinës. Sipas të dhënave del se kjo Komunë i ka shpenzuar vetëm 40,9 për qind të buxhetit për investime kapitale, duke i lënë të pashpenzuara rreth 30 milionë euro”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Për investime kapitale nga kjo Komunë janë shpenzuar mbi 18 milionë euro e që ka shënuar rënie drastike nëse krahasohet me vitet e kaluara. “Nga mbi 46 milionë euro të parapara për këtë kategori, Komuna ka shpenzuar vetëm 18 milionë e 845 mijë euro ose vetëm 40,94 për qind të mjeteve në dispozicion. Duke krahasuar me vitet paraprake 2018, 2017, 2016 dhe 2015 vërejmë se niveli i ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale ka pësuar rënie drastike. Në vitin 2018 nga kjo kategori buxhetore ishin shpenzuar 43,47 për qind të mjeteve në dispozicion, ndërkaq 56,48 për qind në vitin 2017, 58 për qind në vitin 2016 dhe 62 për qind në vitin 2015. Ky trend në rënie i shpenzimit të buxhetit të dedikuar për investime kapitale dëshmon paaftësinë e Komunës për t’i planifikuar dhe për t’i realizuar projektet kapitale brenda vitit buxhetor”, thuhet tuje në reagimin e INPO-së.

Komuna e Prishtinës, sipas INPO-s, po del se ka dështuar edhe në inkasimin e të hyrave vetanake. “Ngecje është vërejtur edhe në inkasimin e të hyrave vetanake nga disa kategori të të hyrave, respektivisht nga inkasimi nga mbeturinat, ku janë inkasuar pak mbi 2 milionë euro, ndërsa parashikimet për mbledhje të taksës për këtë kategori kishin qenë afër 4.5 milionë euro, si dhe te taksat për shfrytëzimin e hapësirave publike inkasimi është i ulët”, theksohet në reagimin e organizatës.

LDK: Komuna e ka keqplanifikuar buxhetin

Si pasojë e keqplanifikimit të buxhetit shumë projekte kanë dështuar të realizohen në Prishtinë. Kështu ka deklaruar për “Zërin” Agim Gashi, asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunën e Prishtinës. “Arsyeja e mosshpenzimit të buxhetit është planifikimi i keq i buxhetit sidomos në investimet kapitale. Është paralajmëruar në analizat e raporteve periodike, 3-mujore, 6-mujore, 9-mujore dhe në raportin vjetor që buxheti në Komunën e Prishtinës do të ketë bartje në më shumë se 30 milionë euro. Në bazë të raportit vjetor shihet që Komunës së Prishtinës do t’i mbesin të pashpenzuara mbi 27 milionë euro”, ka thënë Gashi.

tij, kjo bartje do të mundë të ishte edhe më e madhe në rast se Komuna e Prishtinës nuk do të merrte vendim për pagesat e borxhit për punëtorët e Pallatit të Rinisë dhe të atyre të fabrikës së tjegullave. “Kuvendi Komunal para një muaji i ka marrë mjetet nga investimet kapitale dhe i ka destinuar për pagimin e borxhit publik të Komunës, pra për pagesën e punëtorëve të fabrikës së tjegullave dhe të punëtorëve të Pallatit të Rinisë e që ka qenë një borxh i paplanifikuar i Komunës. Nëse nuk do të ishin bërë këto pagesa Komuna faktikisht do të mbetej pa i shpenzuar 31 milionë euro nga investimet kapitale. Pak a shumë ai vendim i Kuvendit Komunal e ka zbutur borxhin, por megjithatë për t’u bartur kanë mbetur mbi 27 milionë euro”, ka potencuar Gashi.

Gashi: Qeverisja nuk do të mundë ta stabilizojë fushën e investimeve kapitale

Agim Gashi, kuvendar i LDK-së në Prishtinë, është shprehur skeptik për sa i përket realizimit të projekteve kapitale që pritet të bëhen këtë vit nga Komuna. Ai i tha gazetës se me këtë mentalitet qeverisës nuk do të mundë të stabilizohet asnjë fushën e investimeve kapitale. “Kjo qeveri me këtë mentalitet qeverisës nuk do të mundë të stabilizojë fushën e investimeve kapitale, sepse planifikimi është bërë jofunksional. Nuk janë përfshirë projektet infrastrukturore siç është: ‘Rruga A’, kolektori nën ‘Rrugën A’, pastaj ndërtimi i shkollave, i kanalizimeve dhe i trotuareve dhe ndërtimi i parkingjeve”.

Gashi theksoi se me këtë ritëm Komuna e Prishtinës ndër vite vetëm se do ta rrisë bartjen e parave. “Mungesa e këtyre investimeve do të bëjë që Komuna e Prishtinës prej vitit në vit të rrisë bartjen e parave të investimeve kapitale. Sivjet Komuna e Prishtinës do t’i ketë në dispozicion mbi 50 milionë euro”, ka thënë ndër të tjera Gashi.

Si projekte të nevojshme dhe urgjente për t’u realizuar Gashi ka përmendur ndërtimin e disa shkollave, të rrugëve e të parkingjeve. “Duhet të ndërtohen minimumi gjashtë shkolla fillore dhe një e mesme, duhet të ndërtohet kolektori dhe ‘Rruga A’, këto dy projekte kanë një vlerë bukur të madhe dhe janë projekte shumë me prioritet. Duhet të fillohet me zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit për fshatrat që nuk kanë ujë dhe duhet të vazhdohet të investohet në industrinë e përpunimit të mbeturinave”, ka thënë ai.

PDK: Qeverisja në Prishtinë, e dobët dhe joefikase

Qeverisje të dobët dhe joefikase e ka konsideruar Leutrim Retkoceri, asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), atë të Shpend Ahmetit në Prishtinë. “Qeverisje joefikase ka Komuna e Prishtinës dhe e cila është qeverisje që realisht problemin e suficitit e ka prej 2013-s. Kemi një qeverisje të dobët dhe joefikase, çdo vit sjell bartje të buxhetit. Rreth 30 milionë euro janë tepruar këtë vit e më së shumti nga investimet kapitale”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ai u shpreh skeptik për mundësinë e ndryshimit të kësaj gjendjeje përgjatë 2020-s. “Vetë shifrat dhe se sa vite është kjo gjendje tregojnë që më së paku mund të jesh optimist se kjo qeverisje do të bëjë ndonjë zhvillim të dukshëm në investime kapitale ose në punë të mirë për qytetarët e Prishtinës. Për projekte kapitale shumë të nevojshme janë shkollat e së pari çerdhet, parqet për qytetarë, infrastruktura rrugore që është një ndër më të dobëtat në të gjitha komunat e Kosovës e që e ka komuna e Prishtinës e gjëra të tjera”, ka thënë ndër të tjera ai.

LVV-ja: Një kryetar i tillë nuk i duhet askujt

Në ndërkohë për mosshpenzimin e buxhetit për investime kapitale ka reaguar edhe Eman Rrahmani, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunë, e i cili ka thënë se përveç bartjes së një pjese të buxhetit të vitit 2019, ka bartje edhe nga vitit 2018. “Komuna e Prishtinës këtë vit nuk ka arritur ta shpenzojë në investime kapitale as bartjen e vitit 2018. Nga 25 milionë sa ka qenë bartja nga viti 2018, në vitin 2019 ajo ka shpenzuar vetëm 19 milionë euro, pra përveç buxhetit të vitit 2019 do të kemi edhe 6 milionë euro të bartura nga viti 2018. Edhe pse po i dyfishon kostot e projekteve, siç është ai i Tregut të Qytetit dhe shumë projekteve tjera, prapë nuk po arrin ta shpenzojë buxhetin e Komunës. Një kryetari i tillë nuk i duhet askujt”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”./Zëri