Vetëvendosja është ende optimiste për koalicion me LDK-në

Vetëvendosja është ende optimiste për koalicion me LDK-në

Aktuale January 27, 2020 - 08:27
Të dyja partitë mbeten optimiste se “Koalicioni i shpresës” do të ndodhë

Ndonëse ishin zotuar se nuk do t’ia falin dakikun Lëvizjes Vetëvendosje pas ditës së diel, Lidhja Demokratike e Kosovës u step edhe një herë nga ultimatumi, që ia kishte vënë LVV-së për ta shqyrtuar ose për ta pranuar ofertën e tyre për bashkëqeverisje brenda javës që e lamë pas. Pavarësisht dallimeve të theksuara në mes tyre, të dyja partitë mbeten ende optimiste se “Koalicioni i shpresës” do të ndodhë, shkruan Zëri.

Edhe pse disa ditë radhazi është thënë nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje se këtë fundjavë do të ketë takime në mes të dyja subjekteve, një gjë e tillë nuk u konfirmua. Nga zyra për informim e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e kanë pohuar e as nuk e kanë mohuar se një takim i tillë është mbajtur ose do të mbahet sot. “Nuk kam informacion nëse do të ketë takim ose jo. Nga zyrtarë të të dyja subjekteve është thënë se këtyre ditëve do të ketë”, ka thënë për “Zërin” zyrtari për informim i LVV-së, Arlind Manxhuka.

Në anën tjetër pavarësisht afatit kohor që LDK-ja ia ka caktuar LVV-së për arritjen e koalicionit, deputetët e kësaj partie mbesin optimistë se marrëveshja për bashkëqeverisje do të ndodhë. Ndonëse ka thënë se për një qëndrim zyrtar të LVV-së duhet t’i drejtohemi zyrës për komunikim me media, deputetja e kësaj partie Mimoza Kusari-Lila ka thënë për “Zërin” se ajo personalisht beson se koalicioni do të arrihet së shpejti. “Pavarësisht atyre që kanë ndodhur deri këto ditë, prapë mendoj se ka hapësirë dhe mundësi të arrihet koalicioni. Ky është qëndrimi im personal”, ka deklaruar Kusari-Lila./Zëri