LDK: Komuna e ka keqplanifikuar buxhetin

LDK: Komuna e ka keqplanifikuar buxhetin

Aktuale January 27, 2020 - 08:40
Si pasojë e keqplanifikimit të buxhetit shumë projekte kanë dështuar të realizohen në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka dështuar t’i përmbushë objektivat buxhetore të vitit paraprak. Sa u përket investimeve kapitale, nga Komuna është shpenzuar vetëm 40 për qind e buxhetit të paraparë, teksa kanë tepruar 30 milionë euro. Kuvendarët opozitarë akuzojnë ekskluzivisht për këtë gjendje kryetarin Shpend Ahmeti, shkruan e përditshmja Zëri.

Si pasojë e keqplanifikimit të buxhetit shumë projekte kanë dështuar të realizohen në Prishtinë. Kështu ka deklaruar për “Zërin” Agim Gashi, asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunën e Prishtinës. “Arsyeja e mosshpenzimit të buxhetit është planifikimi i keq i buxhetit sidomos në investimet kapitale. Është paralajmëruar në analizat e raporteve periodike, 3-mujore, 6-mujore, 9-mujore dhe në raportin vjetor që buxheti në Komunën e Prishtinës do të ketë bartje në më shumë se 30 milionë euro. Në bazë të raportit vjetor shihet që Komunës së Prishtinës do t’i mbesin të pashpenzuara mbi 27 milionë euro”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, kjo bartje do të mundë të ishte edhe më e madhe në rast se Komuna e Prishtinës nuk do të merrte vendim për pagesat e borxhit për punëtorët e Pallatit të Rinisë dhe të atyre të fabrikës së tjegullave. “Kuvendi Komunal para një muaji i ka marrë mjetet nga investimet kapitale dhe i ka destinuar për pagimin e borxhit publik të Komunës, pra për pagesën e punëtorëve të fabrikës së tjegullave dhe të punëtorëve të Pallatit të Rinisë e që ka qenë një borxh i paplanifikuar i Komunës. Nëse nuk do të ishin bërë këto pagesa Komuna faktikisht do të mbetej pa i shpenzuar 31 milionë euro nga investimet kapitale. Pak a shumë ai vendim i Kuvendit Komunal e ka zbutur borxhin, por megjithatë për t’u bartur kanë mbetur mbi 27 milionë euro”, ka potencuar Gashi./Zëri.