Berisha i AAK-së: Kurti po kërkon ndihmën e atyre që deri dje i ka kundërshtuar

Berisha i AAK-së: Kurti po kërkon ndihmën e atyre që deri dje i ka kundërshtuar

Aktuale January 28, 2020 - 14:44
Nënkryetari i AAK-së thotë se është zhgënjyese që vendi edhe pas më shumë se tre muajsh pas mbajtjes së zgjedhjeve vazhdon të jetë pa qeveri

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Berisha, thotë se është zhgënjyese që edhe pas më shumë se tre muajve prej kur janë mbajtur zgjedhjet, vendi vazhdon të jetë pa qeveri. Ai thotë se Vetëvendosje e gjendur në situatë jo të favorshme për krijimin e koalicionit, po kërkon ndihmën e shteteve të Quintit që gjithmonë i ka kundërshtuar.

Berisha në një intervistë për KosovaPress ka komentuar takimin që sot do të mbahet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së me shtetet e Quintit, ku thotë se është një tregues që Vetëvendosja diçka tjetër flet dhe ndryshe vepron.

Ai thotë se gjithmonë nga Vetëvendosja është proklamuar se ndërhyrjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë bazë për themelimin e institucioneve apo qeverisë, por që sipas tij kjo po del të jetë vetëm retorikë.

“Kjo që është proklamuar përpara që ndërhyrjet ndërkombëtare nuk duhet të jenë bazë për themelimin e institucioneve apo qeverisë, apo koalicioneve të caktuara po del që ka qenë vetëm retorikë. Për ne ka qenë jashtëzakonisht befasuese informacioni i mbrëmshëm që nga Vetëvendosja është kërkuar që të ndërhyjnë ndërkombëtarët apo të ketë një takim me Quintin, ku konsiderohet si një presion ndaj partnerit për themelimin e institucioneve të Kosovës”, deklaroi ai.

Berisha thotë se kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, i gjendur në një situatë jo të favorshme të krijimit të koalicionit me LDK-në, po kërkon për ndihmë nga ata që deri dje i ka kundërshtuar.

Nënkryetari i AAK-së thotë se është zhgënjyese që vendi edhe pas më shumë se tre muajsh pas mbajtjes së zgjedhjeve vazhdon të jetë pa qeveri.