Deputeti i Vetëvendosjes paralajmëron kallëzim penal kundër Komunës së Gjakovës

Deputeti i Vetëvendosjes paralajmëron kallëzim penal kundër Komunës së Gjakovës

Aktuale January 29, 2020 - 13:39
Batusha ka shkruar se këto leje të ndërtimit që janë lëshuar nga komuna, më së miri shpërfaqin mendësinë me të cilën qeveriset Gjakova

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha ka kritikuar qeverisjen komunale lidhur me ndërtimin e objekteve shumëkatëshe në afërsi të Kullës së Sulejman Vokshit.

Batusha ka shkruar se këto leje të ndërtimit që janë lëshuar nga komuna, më së miri shpërfaqin mendësinë me të cilën qeveriset Gjakova.

“Për favore politike dhe biznesore janë në gjendje të shkatërrojnë edhe thesarin më të çmuar të trashëgimisë kulturore dhe historike të Gjakovës. Në shërbim të kujt është kjo qeverisje komunale, nëse jo të qytetarëve të Gjakovës?”, ka shkruar ai.

Kreu i LV-së në Gjakovë, tutje ka bërë të ditur se në dokumentacionin që kanë grumbulluar shihet se ka falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe keqpërdorim të detyrës, vetëm që të procedohet me ndërtim.

“Në dokumentacionin e grumbulluar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! shihet qartë falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare, vetëm e vetëm që të procedohet me ndërtim. Nuk është fjala vetëm për objektin që ka filluar ndërtimin tash, por edhe për objektin tjetër që do të filloj pas ca kohësh, e që prek oborrin e Kullës”, shton ai.

Batusha tutje ka njoftuar se do të ushtrojnë kallëzim penal ndaj Komunës së Gjakovës.

“Andaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Gjakovë, në fillim të javës së ardhshme do të ushtroj kallëzim penal për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe do kërkoj masën e pezullimit të ndërtimeve deri në marrjen e vendimit gjyqësor. Pse kryetar nuk e ushtrove të drejtën tënde për padi ndaj IKMM-së kur e ke pa që Ligji për Trashëgimi po shkelet? Pse duhet ne të kryejmë punën për të cilën je thirrur ti? Kujt po i shërben?”, ka shkruar ai.