Në Klinë përkujtohen dëshmorët e rënë

Në Klinë përkujtohen dëshmorët e rënë

Aktuale January 29, 2020 - 17:23

Në manifestimin tradicional “Flaka e Janarit 2020”, janë përkujtuar heronjtë dhe dëshmorët te kombit.

Në një akademi përkujtimore, Komuna e Klinës sot ka kujtuar 21-vjetorin erënjes së dëshmorëve Ilir Merturi, Naim Gashi dhe Vesel Avdyli dhe të gjithë të rënë për liri.

Me këtë rast kryetari i Klinës, Zenun Elezaj ka thënë se, dëshmorët, martirët dhe të gjithë të rënët për lirinë e këtij vendi, që luftuan kundër padrejtësive historike ndaj popullit shqiptar, janë dhe do të mbeten përherë në historinë tonë kombëtare si dëshmi për luftën e drejtë të popullit shqiptar kundër pushtuesit serb.

“Pikërisht 21 vite më parë, këta tre pishtarë të lirisë, bashkë me shumë shokë të idealit, do të niseshin me vendosmëri rrugëtimin me plotë rreziqe për në Shqipëri, por përballja heroike në Rogovë të Hasit me pushtuesin serb, ishte vendi ku këta trima ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë, duke mbetur përjetësisht në historinë tonë kombëtare si flakadan të lirisë”, ka thënë Elezaj./ZERI/