“Nëse VV s’lëshon pe, Mustafën do ta kemi kryeministër e Thaçin prapë president”

“Nëse VV s’lëshon pe, Mustafën do ta kemi kryeministër e Thaçin prapë president”

Aktuale January 29, 2020 - 19:17
Vjen një paralajmërim nga publicisti i njohur

Publicisti Nexhmedin Spahiu, ka folur lidhur me negociatat VV-LDK, ndërsa gjenden në javën përfundimtare për të arritur një marrëveshje bashkëqeverisëse.

Spahiu është shprehur optimist që koalicioni VV-LDK do të arrihet në minutat e fundit të afatit ligjor, por gjithë këtë zvarritje të këtij procesi e vlerësoi si lojë politike të Isa Mustafës, njofton Klan Kosova.

”E kam thënë që nga fillimi që koalicioni do bëhet në minutat e fundit të afatit ligjor, dhe deri atëherë është në një taktikë që e zhvillon Isa Mustafa për shkak të lojës së tij që udhëheq brenda partisë dhe tendencës nga ajo mund të marrë nga negociatat me subjektin tjetër”.

Por cili do të jetë epilogu i këtyre negociatave?

”Besoj që njëra palë do të lëshojë pe. Do të detyrohet të lëshojë pe ajo që s’ka alternativë tjetër, Vetëvendosja. LDK e ka alternativën që të krijojë qeverinë me Aleancën, Nismën, dhe minoritetet por të ishte në këtë rast Kryeministër i Kosovës do të siguronte që Hashim Thaçi të kishte edhe një mandat tjetër. Me këtë lojë politike që ka zhvilluar Isa Mustafa ka siguruar për vete që të jetë o president o kryeministër, pastaj situata varet edhe në faktorë të tjerë”.

Ai tha në Info Magazinën e Klan Kosovës që po të merrte pjesë Ambasadori i SHBA-ve, Philip Kosnett në takimin VV-LDK, do duhej të kishte marrëveshje finale.

”Nëse merr pjesë Ambasadori Philip Kosnett koalicioni duhet të bëhet. S’duhet poshtëruar Amerika aty. Arsye pse amerikanët nuk kanë dashur të ndërhyjnë direkt të paktën në mënyrë të dukshme, por i kanë dhënë Albin Kurtit përkrahje indirekte për të qenë kryeministër- ka qenë thjeshtë t’ju tregohet kinezëve, rusëve, se tani Kosova është vet një komb që është i aftë ta bëjnë Qeverinë. Ju tregojnë që ”nuk jemi ne që po ua mbajmë shtetin në dorë”.

”Por tek ne kur vjen mundësia për ta kaluar provimin, ne gjithmonë bimë në provim. Është një punë pazari, që ata e shohin të rëndësishme me zë pozicion sa më të fortë në këtë koalicion qeverisës”.

Nexhmedin Spahiu gjithashtu komentoi edhe vizitën e Emisarit amerikan Richard Grenell në Kosovë, ndërsa përmendi edhe fotografitë që bëri me krerët e subjekteve VV e LDK.

”Ambasadori Grenell u fotografua në zyre të LDK-së, por nuk u fotografua në zyrën e VV-së. LDK zakonisht e mbajnë një flamur të Shqipërisë në zyre, kur erdh Grenelli e hoqën. Kjo mundësoi që Richard Grenell me udhëheqësinë e LDK-së të fotografohet në zyre. E kjo dha mesazh të qartë që me Albin Kurtin u fotografua në sokak”.

”Ky është një mesazh që Vetëvendosje e gdhendë sakicën në këmbë të vete. Është problematike sepse kjo ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës, si një foshnje amerikane. Kurti ka premtuar që do ta bëjë këtë kur të bëhet kryeministër, por kjo ka bërë që amerikanët ta shikojnë rezervë. LDK-së iu thonë që ”juve iu kemi garancë që Albin Kurti të mos dalë nga binarët”. Ndaj dhe kjo është mundësia që Isa Mustafa po e shfrytëzon këtë në maksimum”.

”Në këtë fotografi nuk ka vend për flamurin e BE-së sepse Kosova nuk është pjesë e Bashkimit Europian kur të hymë e qesim aty. Flamuri i dizajnuar nga Ibrahim Rugova është aty, dhe kjo nuk i ka penguar aspak Richard Grenellit sepse kjo tregon shtetin e Kosovës. Flamujt edhe janë arsye që s’po bëhet koalicioni. Sepse në këtë drejtim Albin Kurti po i ulë pazarin vetes”.

”Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë arsye për të ndryshu sepse shumë qëndrime i kanë budallaqe”.

”Isa Mustafa nuk është bash i interesuar ta marrë Kryetarin e Parlamentit por përmes saj do ta çojë pazarin deri në fund. Por besoj që do të përfundojë kjo, në të kundërtën do ta kemi Isa Mustafën kryeministër dhe Hashim Thaçin edhe për një mandat tjetër president”.