Kollçaku i reagon sërish Thaçit, i thotë se nuk e lexoi postimin deri në fund

Kollçaku i reagon sërish Thaçit, i thotë se nuk e lexoi postimin deri në fund

Aktuale February 16, 2020 - 09:15

Fatmire Mulhaxha-Kollçaku nënkryetare dhe deputete nga rradhët e Vetëvendosjes, ka reaguar ndaj presidentit Hashim Thaçi, pasi ky i fundit e kishte replikuar mbrëmë për një citat të saj lidhur me kryeministrin Kurti.

Kollçaku ka theksuar se nuk janë fjalët e saj por vetëm citim, duke shtuar se presidenti nuk e ka lexuar deri në fund postimin e saj.

“Një citat i postuar nga mediat serbe se ardhja e Albin Kurtit paraqet rrezik për Serbinë dhe me gjerë nuk ishin fjalë të mia, patjetër, por vetëm citim se sa shumë ka kundërshtarë të tij. Asnjë fjalë nuk është e imja në atë citim”, ka shkruar Kollçaku në Facebok.

Kujtojmë se mbrëmë presidenti Thaçi kishte reaguar ndaj deputetes Kollçaku, duke e pyetur se çfarë krimi ka bërë UÇK-ja.

“Nuk kam menduar, e lëre besuar, se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse “nuk ka dosje kriminale të UÇK-së”.

E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja?”, kishte shkruar Thaçi në Facebook.

Lexojeni të plotë cfarë ka shkruar Kollcaku;

PËR ATA QË NUK I LEXOJNË POSTIMET DERI NË FUND

INFORMIM PËR KEQDASHËSIT DHE KEQINTERPRETUESIT E NJË CITATI, KU ALBIN KURTI PARAQITET SI RREZIK PËR SERBINË DHE MË GJERË

Një citat i postuar nga mediat serbe se ardhja e Albin Kurtit paraqet rrezik për Serbinë dhe me gjerë nuk ishin fjalë të mia, patjetër, por vetëm citim se sa shumë ka kundërshtarë të tij.
Asnjë fjalë nuk është e imja në atë citim.
PËR TË GJYKUAR KËTË CITAT, ku kinse duke e lavdëruar Albinin, flitet me gjuhën e urrejtjes, e kam cekur në fund: 

Në fakt të “kërcënuar” mund të ndihen vetëm ata që flasin dhe sundojnë me veprimet dhe GJUHËN E URREJTJES.

Çdo interpretim tjetër është i qëllimshëm dhe dashakeq, sepse opinionet e mia dihen botërisht, e sidomos për luftën e shenjtë të UÇK-së dhe gjithë popullit shqiptar.