Qeveria 'Kurti' parasheh ndryshime të mëdha në shëndetësi
Foto: Laura Hasani

Qeveria 'Kurti' parasheh ndryshime të mëdha në shëndetësi

Aktuale February 18, 2020 - 08:27
Image

Qeveria e re po paralajmëron ndryshime të shumta në sistemin shëndetësor, duke përfshirë këtu përmirësim të furnizimit me barna e implementim të sigurimeve shëndetësore. Njohës të çështjeve të shëndetësisë kanë vlerësuar se ka shumë probleme në të cilat duhet përqendruar urgjentisht, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sigurimet shëndetësore publike, rritja e buxhetit për furnizim 100 për qind me barna dhe me materiale shpenzuese nga lista esenciale, e blerja e pajisjeve mjekësore për modernizimin e klinikave do të jenë vetëm disa nga prioritetet e qeverisë “Kurti” për fushën e shëndetësisë. Sistemi shëndetësor në vend deri tani është ballafaquar me probleme e me mungesa të ndryshme, që nga mungesa e barnave esenciale e mungesa e aparaturave. Edhe mosimplementimi i sigurimeve shëndetësore vlerësohet të jetë problematikë e madhe për qytetarët.

Në programin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se prioriteti kryesor do të jenë sigurimet shëndetësore publike, të cilat pritet të funksionalizohen më së largu deri në vitin 2022, ndryshimi i legjislacionit ku do të mundësohet transformimi i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, themelimi i spitalit të Prishtinës, si dhe funksionalizimi i spitalit të Podujevës. Po ashtu Qeveria ka në plan edhe rrjetëzimin e mjekëve kosovarë në diasporë, forcimin dhe kompletimin e Klinikës së Onkologjisë dhe forcimin e shërbimeve shëndetësore në komuna, duke përfshirë kujdesin shtëpiak. Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë për gazetën se si synim kanë kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin publik shëndetësor e forcimin e këtij sistemi, në mënyrë që pacientët të mos kenë nevojë të kërkojnë trajtim nëpër spitale private.

Në rast të realizimit të këtyre projekteve, njohës të kësaj fushe janë shprehur optimistë për ndryshime pozitive në shëndetësi.

Parësore kthimi i besimit të pacientëve në sistemin publik

Kushtet e punës, sigurimet shëndetësore, përmirësimi i furnizimit me barna nga lista esenciale e investimet në aparatura konsiderohen si disa nga çështjet kryesore me të cilat duhet të merret qeveria e re.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë ditë më parë për gazetën se për shkak të këtyre çështjeve mjekët po lëshojnë vendin. Ai ka deklaruar se nëse buxheti për shëndetësi rritet dhe Qeveria merr veprimet adekuate, atëherë priten ditë më të mira për këtë sistem.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se Qeveria do ta ketë prioritet shëndetësinë, kështu edhe do t’i jetësojë disa projekte në këtë fushë. Ajo është shprehur se parësore është që t’u kthehet pacientëve besimi në sistemin publik e që të forcohet ky sistem, në mënyrë që pacientët të mos orientohen për trajtim në sektorin privat. “Është primare që t’u kthehet besimi pacientëve në sistemin publik e të forcohet sistemi publik, sepse varfëria në Kosovë është e madhe dhe ne nuk mund të presim që pacientët t’i orientojmë vetëm në sektorin privat. Ne jemi të interesuar ta forcojmë sistemin publik fillimisht, t’ia përmirësojmë kushtet punëtorëve shëndetësorë dhe njëkohësisht të kenë studentët, që përfundojnë Fakultetin e Mjekësisë, motiv që të mbesin në Kosovë dhe të mos ikin ashtu siç ka ndodhur në këto vitet e fundit”, ka potencuar ajo.

Kollçaku ka përmendur edhe jetësimin e projektit të mjekësisë familjare, ku pretendohet që të trajtohen deri në 80 për qind të rasteve, në mënyrë që ato të mos referohen për në nivel sekondar. Ajo ka thënë se edhe QKUK-së duhet t’i kthehet imazhi i mirë. “Duhet t’i kthehet imazhi i mirë QKUK-së dhe ajo të fillojë të funksionojë si qendër terciare. Duhet ta kemi edhe spitalin e Prishtinës, sepse duhet ta kenë edhe qytetarët e komunës së Prishtinës një spital, në të cilën do t’i referojnë rastet në nivel sekondar, sepse qendra terciare e vetme në Kosovë nuk po ka mundësi ta kryejë punën e saj për shkak të ngufatjes së referimit të rasteve që duhet të trajtohen në spitalet regjionale”, ka potencuar ajo.

Qe tre vjet s’ka specializime, Qeveria i premton ato

Spitalet rajonale gjatë vitit të kaluar e po ashtu edhe gjatë këtij viti janë duke u ballafaquar me mungesë të stafit mjekësor. Nga spitali i Gjakovës është thënë për “Zërin” se pavarësisht se kanë hapur konkurse për rekrutim të personelit mjekësor, ka pasur raste kur askush nuk ka shprehur interes për t’u punësuar. Për problematikën e mungesave të stafit mjekësor në spitalet rajonale ishte rekomanduar që specializimet të jepen në bazë të nevojave, shkruan tutje "Zëri".

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili ka qenë edhe drejtor i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni, ka thënë për “Zërin” se që më shumë se 3 vjet nuk ka pasur specializime në vend, andaj edhe ua kanë borxh mjekëve të rinj ato. “Ne do ta japim kontributin tonë në shëndetësi, e cila drejtpërdrejt është e lidhur edhe me ambientin, me cilësinë e ushqimit, të ujit e të ajrit. Të gjitha këto do të jenë detyrat me të cilat ne do të merremi. Detyrë jona do të jetë përmirësimi i furnizimit nga lista esenciale, e përmirësimi i shërbimeve të cilat ekzistojnë. Me përmirësimin e tyre ne e rrisim edhe besueshmërinë e qytetarëve ndaj shërbimeve shëndetësore dhe institucioneve shëndetësore”, ka thënë ai.

Hyseni ka deklaruar se është në interes që sa më shpejt të bëhen ndryshime, të cilat do të jepnin rezultate pozitive. “Këto do të jenë prioritet, por që nuk diskutohet se do të ketë edhe rrugës ndryshim të prioriteteve. Do t’i përshtatim shumë shpejt, aq sa është e mundshme, nevojat e qytetarëve për vitin 2020. Interesi është që sa më shpejt të bëhen ndryshime të cilat do të kishin dhënë rezultat dhe do të përmirësonin edhe besueshmërinë, shërbimin dhe jetën e qytetarëve në raport me institucionet dhe me shërbimet shëndetësore”, ka shtuar ai./ZËRI