Qeveria shkarkon Bordin e Telekomit dhe sekretarin e MIA-s
Foto: Laura Hasani

Qeveria shkarkon Bordin e Telekomit dhe sekretarin e MIA-s

Aktuale February 20, 2020 - 07:55
Image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ua ka ndalur përfitimet zyrtarëve shtetërorë pas mbarimit të mandatit dhe ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Telekomit e gjithashtu i ka vendosur në listën tepricë disa sekretarë të përgjithshëm të ministrive, ndër ta edhe sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës e të Ambientit Betim Reçicën, shkruan sot gazeta Zëri.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka shfuqizuar një varg vendimesh të qeverive të kaluara. Si fillim, me unitet të plotë Qeveria ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Telekomit. Me propozim të kryeministrit Albin Kurti dikasteri i tij qeveritar shfuqizoi vendimin për përfitimet e zyrtarëve shtetërorë pas mbarimit të mandatit. Me vendim të ekzekutivit nga puna janë larguar edhe disa sekretarë të përgjithshëm të ministrive, të cilët i ka kaluar në listën tepricë me mundësinë e ricaktimit në pozita ekuivalente. Në këtë mbledhje të ekzekutivit është marrë vendim që edhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, të zëvendësohet me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale Izedin Bytyqin. Ndërsa për zgjedhjet në Podujevë, KQZ-së Qeveria ia ka miratuar vetëm kërkesën për mallra dhe për shërbime, por pa paga e mëditje. Qeveria dje ka ndërruar edhe Projektrregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe të ministrive. Kryeministri Kurti theksoi se nevoja për ndryshimin e Rregullores ka ardhur duke u bazuar në vendimin e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryeministrit, të ministrave dhe të zëvendësministrave me të cilën është ndryshuar edhe numri i ministrive.

Qeveria shkarkon Bordin e Drejtorëve të Telekomit

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës me propozim të ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, Qeveria e ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore të Telekomit të Kosovës. Sipas ministres Hajdari, Telekomi i Kosovës gjendet në gjendje të rëndë financiaro-operative, duke rrezikuar shërbimet e telekomunikacionit, duke rrezikuar pronën publike, jetesën e të punësuarve, si dhe rendin publik e sigurinë kombëtare që lidhet ngushtë me telekomunikacionin. “Duke u mbështetur në Nenin 119 të Kushtetutës, në Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe në rezolutën e Kuvendit të korrikut 2018 dhe duke pasur parasysh gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, i propozoj Qeverisë ta shkarkojë Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Qendrore të Telekomit të Kosovës. Pra, të shfuqizohen vendimet për emërimin e drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje”, ka thënë Hajdari.

Tutje ajo ka treguar edhe tri arsyet se pse duhet të shkarkohet ky Bord. “Së pari, ndërmarrja nuk ka përmbushur planin e biznesit, vlera e aseteve të ndërmarrjes po bie dhe po rritet pakënaqësia e konsumatorëve me shërbimet. Së dyti, Qeveria ka arsye për të besuar se drejtorët kanë shkelur detyrat fiduciare, që nënkupton detyrën për të vepruar në interesin më të lartë të ndërmarrjes. Drejtorët e tanishëm kanë lejuar shpenzimet e tepërta, punësime e gradime pa kritere dhe kontrata të panevojshme për ndërmarrjen. Dhe së treti, Rezoluta e Kuvendit, që është detyruese për Qeverinë, kërkon shkarkimin e drejtorëve”, ka thënë ajo.

Miratimi i shkarkimit të Bordit të Drejtorëve u bë me unitet të plotë të dikasterit qeveritar.

Shfuqizohet vendimi për përfitimet e zyrtarëve shtetërorë pas mbarimit të mandatit

Qeveria dje ka shfuqizuar edhe vendimin e Qeverisë së vitit 2015, i cili ka të bëjë me përfitimet e ish-zyrtarëve pas mbarimit të mandatit të tyre. Kryeministri Albin Kurti potencoi se ky vendim ka për qëllim t’i reduktojë shpenzimet, të cilat Kosovës i kanë sjellë pasoja të mëdha. “Përveçse po i reduktojmë ministritë për qeveri më të vogël e për shtet më të fortë duhet njëkohësisht edhe t’i zvogëlojmë shpenzimet, të cilat u patën bërë zakon e nga të cilat kemi pasoja të mëdha, posaçërisht nga numri i madh i ministrave e i zëvendësministrave nga qeveria e kaluar”, ka thënë Kurti.

Qeveria i largon nga puna disa sekretarë të ministrive, i vë në listën tepricë

Disa sekretarë të përgjithshëm nga ministritë e prekura nga riorganizimi i qeverisë së re të Republikës së Kosovës do të kalojnë në listën tepricë sipas legjislacionit në fuqi për shërbimin civil. Kështu ka vendosur dje Qeveria e Kosovës me propozim të kryeministrit Albin Kurti. Ai theksoi se Qeveria do ta shqyrtojë mundësinë e ricaktimit në pozita ekuivalente ose do t’i trajtojë sipas rregullimit ligjor për nëpunësit tepricë në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Ministritë e prekura nga riorganizimi janë: Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Ministria e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit, Ministria e Financave dhe e Transfereve, Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës Publike, Ministria e Ekonomisë, e Punësimit, e Tregtisë, e Industrisë, e Ndërmarrësisë dhe e Investimeve Strategjike dhe Ministria e Infrastrukturës dhe e Ambientit.

Me këtë rast me propozim të ministrit të e Infrastrukturës dhe të Ambientit, Lumir Abdixhikut, Qeveria e ka ricaktuar Izedin Bytyqin për sekretar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Ambientit, pozitë kjo të cilën deri dje e ka mbajtur Betim Reçica. “Izedin Bytyqi në përputhje me vendimin e Qeverisë ricaktohet në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Ambientit. I ricaktuari kryen të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë deri në përfundimin e mandatit të përcaktuar. Obligohet Ministria e Infrastrukturës dhe e Ambientit për zbatimin e këtij vendimi”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ekzekutivi i ndan mjete për zgjedhjet në Podujevë vetëm KQZ-së, por jo edhe PZAP-it

Qeveria e Kosovës e ka miratuar kërkesën e KQZ-së për ndarjen e mjeteve për zgjedhjet në Podujevë, por jo edhe atë të PZAP-it. Kërkesa e përgjithshme e KQZ-së bashkë me kërkesën e PZAP-it mbërrijnë vlerën e 510 mijë eurove, prej të cilave kërkesa për mallra e shërbime është në vlerën e rreth 393 mijë eurove, ndërkaq vlera e përbashkët që përfshin paga e mëditje është rreth 116 mijë euro.

Kjo kërkesë për ministrin e Financave dhe të Transfereve Besnik Bislimin ka qenë skandaloze. Sipas tij, KQZ-ja ka treguar joprofesionalizëm në përpilimin e kërkesës dhe në kalkulimin e shpenzimeve. “Zgjedhjet janë për një komunë, janë vetëm për kryetar, me vetëm një fletëvotim dhe kërkesa është për paga e mëditje shtesë për anëtarët e KQZ-së bashkë me PZAP-in për 116 mijë euro. Kërkesa është për 60 për qind mëditje shtesë. Jo vetëm që është e paligjshme, por edhe e pakuptueshme. KQZ-ja është institucion autonom, por kjo autonomi duhet të shfrytëzohet për forcimin e institucionit dhe jo për zhvatjen e buxhetit të shtetit”, ka deklaruar Bislimi.

Ai i ka propozuar Qeverisë që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e PZAP-it për diku 18 mijë euro, ndërsa për KQZ-në të miratohet vetëm kërkesa për mallra dhe shërbime, por pa paga e mëditje. Ky propozim është miratuar nga Qeveria, por ka marrë 5 abstenime nga grupi i ministrave të LDK-së.

Zëvendëskryeministri i parë, Avdullah Hoti, propozoi që kërkesa e KQZ-së të miratohet ashtu siç ka ardhur pastaj Ministria e Financave të përkujdeset për mënyrën se si janë shpenzuar ato mjete. “Duke qenë se KQZ-ja është institucion i pavarur ne duhet t’i ofrojmë në dispozicion të gjitha resurset që ata ta kryejnë punën e tyre si duhet. Unë jam që ta mbështesim kërkesën e KQZ-së, ashtu siç ka ardhur dhe t’ju autorizojmë juve të kujdeseni për mënyrën se si po shpenzohen këto mjete”, ka rekomanduar Hoti. /ZERI