
Kosova s’është në agjendën e Këshillit të BE-së, mund t’i ndihmojë Kroacia e Gjermania
Demush Shasha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), ka thënë për “Zërin” se deri tani nuk ka indikacione se liberalizimi i vizave do të jetë pjesë e agjendës së Këshillit të BE-së për vitin 2020.
“Sa i përket vitit 2020, Këshilli i BE-së, përgjegjës për liberalizimin e vizave për Kosovën, respektivisht Këshilli për Punë të Brendshme, do të takohet në formatin formal vendimmarrës katër herë gjatë këtij viti. Po ashtu Këshilli do të këtë edhe takime joformale. Takimi i parë formal është më 12 mars 2020. Deri më sot nuk ka indikacione se liberalizimi vizave për Kosovën do të jetë pjesë e agjendës”.
Ai ka thënë se liberalizmit të vizave për Kosovën mund t’i ndihmojë edhe marrja e Presidencës së BE-së nga dy vendet mike: Kroacia dhe Gjermania. Mirëpo, siç ka thënë ai, Kosovës i mbetet t’i përfundojë detyrat e saj.
“Gjatë vitit 2020 Presidencën e BE-së e kanë dy vende mike të Kosovës: Kroacia (1 janar – 30 qershor 2020) dhe Gjermania (1 korrik – 31 dhjetor 2020). Prandaj ekziston mundësia që çështja e liberalizimi të vizave të përkrahet nga dy presidencat respektive gjatë vitit 2020. Kosova ndërkohë duhet t’i përfundojë detyrat e shtëpisë. Sa u përket detyrave të shtëpisë, janë katër faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën: Të shënojë rezultate në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të përmirësohet gjendja në fushën e sundimit të ligjit, të tejkalohen ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, të evitohet mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave”, ka thënë ai, shkruan tutje Zeri.
Kurse Dashnim Ismajli, profesor universitar, ka thënë se detyra e Kosovës është që të ndikojë në imazhin e saj në sy të vendeve anëtare të BE-së për të rritur vullnetin pro liberalizimit të vizave, duke i përmbushur kështu obligimet që vijnë nga BE-ja. “Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës ndikohet nga shumë faktorë, kryesisht faktorë politikë të vendeve anëtare të BE-së. Megjithatë Kosova me krijimin e qeverisë së re duhet të tregohet e përgjegjshme në përmbushjen e obligimeve që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare, andaj në saje të një qasjeje serioze dhe të përmbushjeve të obligimeve avancohet edhe procesi. Kështu do të ndikonim në përmirësimin e imazhit të Kosovës te vendet anëtare të BE-së për të rritur vullnetin pro liberalizimit të vizave përbrenda institucioneve vendimmarrëse (Parlamenti, Këshilli i Ministrave) të BE-së”.
Ismajli më tutje ka theksuar se rol dominues luajnë edhe ministritë e brendshme të vendeve anëtare të BE-së, andaj Qeveria e Kosovës, siç ka thënë ai, e ka për obligim të dërgojë sinjale pozitive te këto ministri, duke luftuar me raste konkrete korrupsionin dhe krimin e organizuar. Gjithashtu, siç theksoi ai, të përmirësohet gjendja socio-ekonomike në vend, kjo si garanci që në rast të marrjes së liberalizimit të vizave të mos prodhohen eksode azilkërkuesish nga ana e kosovarëve nëpër vendet anëtare të BE-së, siç ka ndodhur me rastet e Serbisë, të Shqipërisë e të Maqedonisë.
Ai ka thënë se Qeveria është ende herët të japë afatizime, pasi Kosova ka përvoja të hidhura nga qeveritë e kaluara sa u përket afateve për liberalizim vizash. “Mendoj se është herët të flitet për një liberalizim vizash përbrenda vitit, kur kemi parasysh sfida që na presin dhe obligimet që po kërkohen vazhdimisht si urgjencë nga miqtë tanë ndërkombëtarë. Në rast se qeveria ‘Kurti’ fillon të japë afatizime si edhe qeveritë kaluara, atëherë nuk mendoj se avancon procesin, por mund ta rrisë mosbesueshmërinë e qytetarit ndaj institucioneve politike dhe ndryshimeve në vend”, tha Ismajli./ZERI