Detaje të reja rreth pacientes kosovare, e cila dyshohet se u infektua me koronavirus

Detaje të reja rreth pacientes kosovare, e cila dyshohet se u infektua me koronavirus

Aktuale February 24, 2020 - 14:06

Edhe një person tjetër gjendet në Klinikën Infektive të QKUK-së, duke u trajtuar me dyshimet për infektim me virusin kinez koronavirus. Bëhet fjalë për një grua e cila ishte kthyer nga Italia ku ishte për një vizitë disaditore. Ajo u paraqit mbrëmë në Klinikën Infektive.

Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj Berisha, tha se për shkak të disa simptomave pacientja ka kërkuar ndihmë mjekësore.

“Për momentin në Infektivë kemi një rast qe është hospitalizuar pas mesnate. Është një paciente, ka qenë në udhëtim në Itali. Dhe meqenëse ka ethe, kollitje të lehtë ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe ne për çështje të sigurisë e kemi izoluar pacienten. Po presim rezultatet”, tha ajo.

Ajo tha se momentalisht gjendja e pacientes është e mirë.

“Gjendja shumë e mirë prej momentit të spitalizimit, nuk ka pasur temperaturë. Është me terapi simptomatike. Në momentin që del negativ pacientja do lëshohet në shtëpi”, tregoi ajo.

Sa i përket gjendjes me grip sezonal Ajazaj-Berisha tha se është nën kontroll.

“Gripi sezonal është nën kontroll, kemi një rast të rendë, por është duke u menaxhuar”, tha ajo.