Reshitaj: Kurti përmes shkarkimeve po tenton ta kamuflojë heqjen e taksës
Foto: Laura Hasani

Reshitaj: Kurti përmes shkarkimeve po tenton ta kamuflojë heqjen e taksës

Aktuale February 27, 2020 - 08:16
Image

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj, në një intervistë për “Zërin”, duke i komentuar vendimet e kryeministrit Albin Kurtit për shfuqizimin e vendimeve të qeverive paraprake, si dhe shkarkimin e zyrtarëve të punësuar në borde të ndërmarrjeve publike, i ka cilësuar ato si lojë politike, që kanë për qëllim kamuflimin e paralajmërimeve për heqjen e taksës, shkruan gazeta "Zëri".

Ish-ministrja e Ambientit dhe e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, i ka cilësuar si të ngutshme veprimet e kryeministrit Albin Kurtit për shfuqizimin e vendimeve të qeverive paraprake, si dhe shkarkimin e zyrtarëve të punësuar në borde të ndërmarrjeve publike. Reshitaj në një intervistë për “Zërin” ka thënë se këto vendime kanë për qëllim kamuflimin e vendimeve të qeverisë “Kurti” për heqjen e taksës dhe për vendosjen e reciprocitetit karshi shtetit të Serbisë. “Kjo nguti lë frikë për dy gjëra: e para, për ta kamufluar një vendim shumë të rëndësishëm të vendit tonë, siç është rifillimi i dialogut Kosovë - Serbi dhe e dyta, thjesht mosaftësia për të marrë një vendim të tillë çfarë është dhënë si mesazh gjatë fushatave parazgjedhore, reciprociteti, fillimi i këtij procesi. Gjithë këto shkarkime janë një lojë politike jo e shëndetshme sidomos për qytetarët tanë”, është shprehur Reshitaj. Më tutje ajo ka folur edhe për dështimet dhe për sukseset e qeverisë “Haradinaj” gjatë dy vjetëve mandat, duke përfshirë këtu mosheqjen e vizave, mosanëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si dhe nepotizmin e theksuar në institucione vendore.
 

Me kokëfortësi e me rebelizëm nuk zgjidhen problemet e vendit

Zëri: Znj. Reshitaj, nga udhëheqja e qeverisë partia juaj AAK-ja kaloi në opozitë, me ç’rast nga zgjedhjet e 6 tetorit mandatin për udhëheqje e fitoi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Cilat janë pritshmërinë tuaja nga qeveria “Kurti”?

Reshitaj: AAK-ja, gjegjësisht lideri Ramush Haradinaj në një moment të vështirë u detyrua të japë dorëheqje dhe t’ia kthejë besimin sovranit. Populli ua dha besimin kësaj here dy partive opozitare për të qeverisur (LDK-së e LVV-së). Normalisht pritjet janë që sidomos në temat nacionale, sepse në temat tjera ne presim një program qeverisës që ende nuk e kemi nga Qeveria dhe normalisht duhet fillimisht ta shohim atë program e mandej të presim disa muaj nëse i njëjti do të fillojë të zbatohet, pastaj të fillojmë të reagojmë nëse nuk zbatohet ose nuk qëndron në të mirë të vendit. Kurse në sferën nacionale presim që qeveria “Kurti” të qëndrojë stoike sa u përket interesave të vendit dhe të bashkëpunojë me partitë opozitare, që bashkërisht të marrim një vendim të rëndësishëm që t’i shtyjmë proceset përpara. Është e pamundur me kokëfortësi, me rebelizëm, të zgjidhet problemi nacional në Kosovë, prandaj konsideroj se duhet bashkëpunim në këtë sferë.

Zëri: Deri më tash kemi parë që kryeministri Kurti ka shfuqizuar disa vendime, që janë marrë gjatë qeverisjes së kaluar, duke përfshirë këtu edhe ngritjen e pagës 100%, vendim ky i marrë nga z. Haradinaj. Si i keni parë ju këto vendime?

Reshitaj: Do të doja të besoj se këto vendime që po merren me të vërtetë ta kenë qëllimin në meritokraci dhe t’u japin mundësi kuadrove që me të vërtetë e meritojnë të udhëheqin në pozita të caktuara. Nëse qëllimi është ky, atëherë ne e përgëzojmë, mirëpo kam frikë fillimisht në ngutjen e marrjes së këtyre vendimeve menjëherë 10 ditë pas formimit të Qeverisë edhe mosprocedimin e proceseve nëpër këshilla, nëpër faza për të arritur te një suspendim ose te një shkarkim, pak lënë të dyshosh që këto veprime po bëhen për t'i larguar disa njerëz dhe për t’i vendosur disa të tjerë, fatkeqësisht militantë të një partie e pastaj të vendosen militantë të partive tjera. Do të doja të besoj që të gjitha këto shkarkime të jenë të bazuara në ligj, të jenë respektuar kornizat ligjore, dispozitat ligjore dhe qëllimin e vetëm ta kenë të mos u lejohen këto borde të rëndësishme njerëzve keqpërdorues. Por kjo ngutje lë frikë për dy gjëra: e para, për ta kamufluar një vendim shumë të rëndësishëm të vendit tonë, siç është rifillimi i dialogut Kosovë - Serbi dhe e dyta, thjesht mosaftësia për ta marrë një vendim të tillë çfarë është dhënë si mesazh gjatë fushatave parazgjedhore, reciprociteti, pra fillimi i këtij procesi. Vlerësoj se gjithë këto shkarkime janë një lojë politike jo e shëndetshme sidomos për qytetarët tanë.


 Zëvendësimi i taksës me reciprocitet, lojë e qeverisë “Kurti”

Zëri: A pajtoheni me vendimin e qeverisë “Kurti” për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet?

Reshitaj: Fillimisht nuk ka logjikë që taksa të zëvendësohet me reciprocitet, sepse taksa është diçka tjetër e reciprociteti diçka tjetër. Kjo ka qenë një lojë politike e LDK-së dhe e LVV-së, që është përdorur gjatë fushatës zgjedhore, e cila ka edhe logjikë për gjykimin tim. Mirëpo tani është mirë të ekzistojë një transparencë, një qartësi më e mirë e Qeverisë ndaj qytetarëve, sepse reciprociteti është një proces që mund të fillojë nëse dy shtete e njohin njëra-tjetrën, nëse dy shtete kanë filluar bashkëpunimin diplomatik, marrëdhëniet diplomatike, kurse taksa ka qenë si një kundërpërgjigje ndaj agresionit serb në aspektin ekonomik, politik, diplomatik, që në atë periudhë ka qenë shumë i madh dhe vazhdon të jetë. Prandaj ne mendojmë që taksa duhet të suspendohet vetëm kur ne të kemi një kontratë të njohjes ose atëherë kur të na premtohet që në një periudhë të caktuar do ta kemi atë. Vetëm atëherë mund të fillojmë me procesin e reciprocitetit.

Zëri: Znj. Reshitaj, ish-kryeministri Haradinaj me dhjetëra herë kishte premtuar heqjen e vizave, proces ky që ende nuk është finalizuar për Kosovën. A ndiheni përgjegjës për këtë dështim?

Reshitaj: Këtë pyetje do të duhej t’ua bënim përfaqësuesve kompetentë të Bashkësisë Evropiane, që janë përgjegjës për liberalizimin e vizave, sepse Kosova qëmoti ka plotësuar kriteret për të marrë liberalizimin e vizave. Ky proces po përdoret si një lloj karte politike që të na shtyjnë t'i marrim disa vendime ose t’i shtyjmë disa procese të tjera para. Deklaratat e kryeministrit Haradinaj kur ka thënë se jemi afër liberalizmit nuk kanë qenë mendime të tij pa marrë një përkrahje ose një premtim të Bashkimit Evropian. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në vitet e kaluara, prandaj nuk e konsideroj këtë gjë gabim të liderëve, sepse ashtu i është thënë nga BE-ja.

Zëri: Po për dështimet e tjera ndërkombëtare a ndiheni përgjegjës, pasi për më shumë se një vit s’kemi pasur asnjë njohje, dështuam në INTERPOL, vazhdojmë të kemi një sistem të kapur të drejtësisë etj.?

Reshitaj: Çdo qeveri e vendit tonë do të duhej të jetë përgjegjëse dhe llogaridhënëse për ato të cilat nuk ka arritur t’i realizojë. Ne kemi qeveri të kaluara që kanë qeverisur edhe tri mandate dhe nuk kanë arritur që ndonjë vendim të rëndësishëm ta shtyjnë përpara. Për aq shkurt sa ka qeverisur z. Haradinaj unë konsideroj se janë marrë disa vendime shumë të rëndësishme dhe janë bërë disa kthesa të rëndësishme në vendin tonë, ku Kosova ka vendosur subjektivitetin e saj në nivel tjetër. Viteve të fundit Kosova vetëm është larguar nga tavolinat e shteteve të BE-së për shkak të problemeve të tjera. Me vendosjen e taksës ne jemi rikthyer si temë e rëndësishme. Normalisht që nuk lavdërohemi me të gjitha punët që janë bërë, por mos harroni që ka qenë edhe një koalicion shumë i madh dhe normalisht që nuk ka pasur koordinim ndonjëherë 100% mbi tema të caktuara, sepse çdo parti ka planet e veta, ideologjitë e veta, procese që do t'i shtyjë para dhe nuk ka qenë e lehtë kjo qeverisje.

Zëri: Ju ishit në krye të Ministrisë së Ambientit gjatë qeverisjes paraprake. Cilat janë sfidat që e presin qeverinë e re në këtë fushë?

Reshitaj: Jam shumë e lumtur që për herë të parë kam arritur në vendin tonë ta bëj prioritet qeveritar mjedisin. Gjithashtu kemi marrë disa vendime të rëndësishme në atë periudhë dhe mbi të gjitha kemi arritur ta vetëdisojmë qytetarin për rëndësinë që ka ajri dhe ambienti i pastër. Konsideroj që për të dyja ministritë duhet të ndahen mirë përgjegjësitë e ministrit dhe të zëvendësministrave, që të fokusohen në departamente ose në ministri të caktuara, sepse Ministria e Mjedisit është shumë e madhe dhe me përgjegjësi të mëdha e tejet e rëndësishme për vendin. Do të doja të shohim suksese në trajtimin e ujërave të zeza, që është një nevojë imediate për qytetarët e vendit, pastaj në trajtimin e mbeturinave, pastaj në ajrin e ndotur etj. Gjithashtu do të duhej t'i japim fokus arsimit, shëndetësisë dhe mjedisit, sepse mjedisi lidhet me shëndetësinë dhe të gjitha këto ndikojnë në mirëqenien dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve./ZERI