Policia e Kosovës suspendon komandantin e stacionit të Zubin Potokut, shkak dhoma e dëshmive

Policia e Kosovës suspendon komandantin e stacionit të Zubin Potokut, shkak dhoma e dëshmive

Aktuale February 28, 2020 - 20:33

Inspektoriati Policor i Kosovës ka suspenduar përgjegjësin policor për ‘Dhomën e dëshmive” dhe komandantin e Stacionit Policor të Zubin Potokut.

Policia e Kosovës, në zbatim të Planit Vjetor të Punës, pos të tjerave realizon edhe inspektime të rregullta dhe të jashtëzakonshme. Më 27.02.2020, ka filluar realizimi i inspektimit në Drejtorinë Rajonale Policore (DRP) Mitrovicë Veri, konkretisht në Stacionin Policor (SP) Zubin Potok.

Në ‘Dhomën e dëshmive” të SP Zubin Potok, gjatë inspektimeve nga komisioni inspektues, në përbërje prej pesë anëtarëve të autorizuar nga DRP Mitrovicë Veri, janë hasur parregullsi.

Komisioni inspektues, bazuar në të gjeturat e deritanishme, ka vlerësuar se ka elemente të mundshme të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe menjëherë përmes mekanizmave zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Ndaj zyrtarit policor përgjegjës për ‘Dhomën e dëshmive’, shefit të hetimeve dhe komandantit të SP Zubin Potok, sipas procedurave të parapara disiplinore është iniciuar suspendimi nga niveli lokal, përderisa IPK dhe Prokuroria Themelore janë njoftuar për veprimet e ndërmarra.

Njësitet policore në bashkëpunim me IPK-në, me autorizim të prokurorit kompetent, sot me datën 28.02.2020 kanë realizuar një kontroll në shtëpinë e zyrtarit policor përgjegjës për ‘Dhomën e dëshmive’. Kurse, inspektimi i detajuara i ‘Dhomës së dëshmive’ do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, deri në nxjerrjen e konstatimeve të sakta dhe të plota lidhur me rastin.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet kompetente do të vazhdojë të kryejë inspektime dhe hetime lidhur me rastin, për të cilin do t’iu mbajë të informuar.