Albin Kurti flet për herë të parë pas rrëzimit të tij

Albin Kurti flet për herë të parë pas rrëzimit të tij

Aktuale March 26, 2020 - 12:45

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur për herë të parë sotme pas seancës së djeshme ku u votua mocioni për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga ai, raporton "Zeri.info".

Kurti me këtë rast tha se ky rrëzim i tij ishte një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Sipas tij, pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. "Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh", tha Kurti përmes një postimi në "Facebook".

Kryeministri në detyrë tha se qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes.

Për më shumë lexoni postimin e plotë të Kurtit:

Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.

Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.

Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë.

Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.

Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.

Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.

Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë.