Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton shkarkimin e bordit të ShSKUK-së

Zëdhënësi i Qeverisë arsyeton shkarkimin e bordit të ShSKUK-së

Aktuale March 28, 2020 - 15:30

Qeveria në detyrë ka shkarkuar të premten Bordit Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Bordi është shkarkuar se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë.

Gjithashtu sipas tij, nuk janë përmbushur as objektivat e përcaktuar, madje edhe bërë shkelje të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike si dhe rregulloren mbi Shpenzimet e Parasë Publike.

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës  në po të njëjtën mbledhje ka marruar edhe një vendim tjetër i cili parasheh shkarkimin e bordit drejtues të SHSKUK-së. Në po të njëjtin vendim poashtu janë emëruar edhe emrat e rinj, anëtarët e rinj të këtij bordi. Arsyetimi i këtij vendimi është dhënë në vendim të Qeverisë në detyrë të Kosovës i cili arsyetim bazohet mbi faktin se bordi nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e parapara dhe të përcaktuara në statutin  e ShSKUK-së dhe nuk ka arritur objektivat e parapara”.

“Në të njëjtën kohë ka pasur një menaxhim jo të mirë me shpenzimet duke mos i marr parasysh nevojat  e prioritetet e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës. Poashtu duke u bazuar në të gjeturat e zyrës së Auditorit të Brendshëm dhe poashtu edhe të auditorit kombëtar ne kemi gjetur që ky bord ka bërë shkelje të ligjit për Menaxhimin e Financave Publike si dhe rregulloren mbi Shpenzimet e Parasë Publike”.

Për anëtarin e VV-së Mirsad Shkretën, që u emëruar si pjesë e këtij bordi, Kryeziu tha se nuk ka asnjë koment.

“Nuk kam përgjigje”, tha shkurt ai.

Qeveria ka emëruar Bordin e Ri në përbërje: Dr. Agreta Geca -Gashi, Qendra Klinike Universitare e Kosovës; Dr. Aida Rexhepi, Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Dr. Xhevat Jakup, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike; Dr. Diana Dafota, Spitali i Përgjithshëm Gjakovë; Dr. Sadete Hadri, Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor; Dr. Mirsad Shkreta, Ministria e Shëndetësisë dhe një ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.

Kryesues i Bordit Drejtues të ShSKUK është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1 vjeçar./EO