33 të testuarit për koronavirus në fshatin Miradi e Ulët e Fushë Kosovës dalin negativë

33 të testuarit për koronavirus në fshatin Miradi e Ulët e Fushë Kosovës dalin negativë

Aktuale April 02, 2020 - 14:03

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë konfirmon se 33 personat e testuar të fshatit Miradi e Ulët, që i përkisnin rrethit familjar të tre të infektuarve me COVID-19, kanë dalë negativë.

Ky është një lajm i mirë për banorët e këtij fshati, por edhe për të gjithë qytetarët e komunës së Fushë Kosovës. Shtabi Emergjent në Fushë Kosovë falënderon IKSH-në për veprimin e shpejtë, në mënyrë që të sqarohet gjendja e rrethit social të të prekurve nga COVID-19. Njëherësh njofton se gjendja e të prekurve është shumë e mirë dhe ata janë në përkujdesje të vazhdueshme.

“Me këtë rast duam të falënderojmë familjarët e të prekurve dhe qytetarët e fshatit Miradi e Ulët për mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe maturinë e treguar gjatë këtyre ditëve. Gjithashtu falënderojmë edhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, që pas reagimit publik që kemi pasur kanë vendosur një bashkëpunim ndërinstitucional shumë korrekt dhe profesional. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen si mënyra më e mirë e menaxhimit të kësaj situate, duke u vënë në shërbim të vazhdueshëm të secilit qytetar që ka nevojë për çfarëdo ndihme”.

Shtabi Emergjent në Fushë Kosovë falënderon për përkushtimin dhe për kujdesin e treguar deri tani qytetarët, stafin mjekësor, Policinë, punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi”, të ujësjellësit “Batllava”, marketet dhe gjithë ata që janë 24 orë në shërbim që qytetarët ta kenë më të lehtë përballimin e kësaj situate.

“Po merren të gjitha masat që kjo gjendje të kalohet sa më shpejt dhe sa më lehtë. Duke ju falënderuar njëherësh ju lusim të vazhdoni edhe më tej me këtë përkushtim të respektoni rekomandimet e institucioneve dhe të përmbaheni për të mos dalë jashtë shtëpisë. Duke qëndruar në shtëpi mbroni veten dhe familjen”.