Kuvendi i Komunës së Podujevës miratoi disa vendime si masa për parandalimin e Covid-19

Kuvendi i Komunës së Podujevës miratoi disa vendime si masa për parandalimin e Covid-19

Aktuale April 02, 2020 - 14:34

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme lidhur me masat për parandalimin dhe për luftimin e koronavirusit.

Sipas njoftimit për medie, aty u miratua vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë të 125.000 eurove për t’u dhënë qytetarëve në nevojë pako ushqimore dhe higjienike.

Po ashtu aty u miratua edhe vendimi për lirimin nga taksa komunale të gjitha subjektet afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e kësaj komune për vitin 2020, si dhe vendimin për lirim nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës komunale për vitin 2020.

Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, prezantoi një informatë rreth aktiviteteve, masave dhe menaxhimit të situatës nga koronavirusi COVID-2019. Ai tha se nga marsi kur është paraqitur rasti i parë me të infektuar me këtë virus është ngritur Komisioni komunal për veprime dhe për masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19. “Për menaxhimin e situatës dhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj COVID-19 deri tani Komuna ka ndarë 237.000 euro”, tha nënkryetari Rudari, duke potencuar se deri tani janë ndarë 133.000 euro në sigurimin e mjeteve mbrojtëse për personelin shëndetësor, ndërsa për dezinfektimin e objekteve dhe të hapësirave publike, si dhe të shtëpive në fshatrat ku janë paraqitur rastet me të infektuar janë ndarë 94 mijë euro nga buxheti i Komunës. Me shumë e mjeteve të propozuar për miratim sot, prej 125.000 eurove, shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara deri tash nga Komuna për menaxhimin e kësaj situate do ta arrijë shifrën prej 362.000 eurosh.