Infektuar: 10988
Shëruar: 6616
Vdekur: 373
Deklarata e ish-ministrit shqiptar për krimet e luftës në Kosovë, reagon Zyra e Thaçit
Foto: Laura Hasani

Deklarata e ish-ministrit shqiptar për krimet e luftës në Kosovë, reagon Zyra e Thaçit

Aktuale April 27, 2020 - 11:09

Zyra e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit ka reaguar ndaj akuzave të ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushatit për amnistinë e krimeve të luftës.

Nga Presidenca kanë kërkuar nga Shqipëria që të bëjnë thirrje për hetim të krimeve të luftës në Kosovë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, e ka cilësuar si të papranueshme deklaratën për amnisti të krimeve të luftës.

Përmes një shkrimi në “Twitter” Bushati ka thënë se nuk duhet të ketë hapësirë për politika të tilla e këto deklarata i ka quajtur të turpshme.

Ai ka thënë se krimet e luftës nuk janë falshme, por të dënueshme.

“Nuk duhet të ketë hapësirë për politikë të revizionizmit, pavarësisht nga vijnë këto deklarata të turpshme. Krimet e luftës nuk janë të falshme, por të dënueshme. Vetëm drejtësia mund të sjellë paqen dhe pajtimin e nevojshëm midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Bushati.

 

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Këshilltari i presidentit, Artan Behrami, ka shkruar se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në Kosovë.

Mirëpo ai i ka thënë Bushatit se Shqipëria ka instrumente për t’i bërë thirrje Këshillit të Evropës për krimet e luftës e që t’i kërkojë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që t’i hetojë ato.

 

Këshilltari i presidentit thotë se Bushati njeh më mirë se kushdo politikën dhe historinë e Këshillit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara.

Nga ai ka kërkuar që të marrë drejtimin e të kërkojë hetim të krimeve.

I njëjti ka shtuar se Kosova do ta mbështeste, duke thënë se nuk do të ketë amnisti, por drejtësi.

“Ditmir Bushati njeh më mirë se kushdo historinë dhe politikën e Këshillit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara. Ai do të bënte një punë të shkëlqyeshme duke marrë drejtimin dhe t’i kërkonte Këshillit të Evropës që të hetonte krimet e luftës në Kosovë. Kosova do të mbështeste. Asnjëherë amnisti. Por kërkimi i drejtësisë. Me të gjitha mjetet”, ka shkruar ai.