Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk pritet të ketë qeveri stabile
Foto: Laura Hasani

Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk pritet të ketë qeveri stabile

Aktuale May 21, 2020 - 16:43

 

Image

Ka mbetur edhe pak kohë para aktgjykimit final të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e presidentit Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë. Përgjatë kësaj pritjeje, edhe përkundër gjendjes pandemike dhe krizës ekonomike në vend, fokus i veçantë dhe me rëndësi më të madhe në politikën në vend është se çfarë vendimi do të marrë Gjykata. E edhe pas këtij vendimi, çfarëdo të jetë ai, nuk pritet se do të kemi një qeveri stabile.

Kështu kanë deklaruar për “Zërin” njohës të çështjeve politike në vend të cilët po ashtu i kanë quajtur të papranueshme presionet drejt Gjykatës Kushtetuese nga ana e presidentit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Për këtë çështje, analisti politik Mazllum Baraliu për “Zërin” ka thënë se pa asnjë impenjim paragjykues, vendimi i Gjykatës Kushtetuese do duhej të ishte në përputhje me dispozitat gjegjëse të Kushtetutës dhe praktikës tashmë të krijuar të Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014.

Baraliu ka thënë po ashtu se pavarësisht se në favor të kujt do të jetë vendimi, të presidentit apo LVV-së, nga të dy palët rëndësi ka pranimi dhe njohja e atij vendimi.

Sa i përket ndikimit të Gjykatës Kushtetuese ndaj presioneve të mundshme nga ana e presidentit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ai i ka quajtur të papranueshme këto ndërhyrje, shkak pas të cilit kjo gjykatë u detyrua edhe të reagojë, gjë për të cilën sipas Baraliut nuk ka pasur nevojë.

Megjithatë, Baraliu është i mendimit se cilido që të jetë vendimi i Kushtetueses, vendi nuk do të ketë qeveri stabile.

“Duke u mbështetur të paktën në parametrat matës dhe veprues të pretendentëve potencialë për formimin e qeverisë, nuk mund të themi me siguri e bindje të plotë që do kemi një qeveri stabile dhe të qëndrueshme”, ka thënë Baraliu për “Zërin”.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike Belul Beqaj, për “Zërin” ka folur në lidhje me një skenar të mundshëm për të cilin thotë se u realizua me synim rrëzimin e qeverisë “Kurti”. Ky skenar, siç e quan ai, “amerikan”, synim e ka marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. E ky skenar, thotë Beqaj, nuk do t’i përfillë vendimet e Gjykatës ngase ajo do t’i nënshtrohet atij. Për këtë Beqaj mendon se qeveri do të ketë pasi qeveria Hoti dhe partnerët e saj, kanë pranuar të jenë instrument i kërkesës së Trumpit.

“Realizuesi kryesor i këtij skenari është LDK-ja, me partnerët e saj që do të ju bashkëngjitën në Qeverinë ‘Hoti’. Pra, skenari nuk do t’i përfill vendimet e Gjykatës por ajo do t’i nënshtrohet skenarit, skenari nuk do t’i përfill praktikat e mëhershme por, praktikat e mëhershme do t’i nënshtrohen skenarit amerikan! Qeveri do të ketë ngase ajo paraprakisht është pajtuar se do të jetë instrument i kërkesës së administratës Trump. Qeveria në detyrë duhet të përfundojë misionin ngase ajo nuk është instrument i skenarit amerikan! Situata mundet eventualisht të ndryshojë, vetëm nëse ndryshojnë prioritet e administratës amerikane për shkak të pasojave të paparashikuara të pandemisë në SHBA”, tha Beqaj.

Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth kërkesës së presidentit për formimin e qeverisë së re nëse ai vendim do të ishte në favorin e presidentit, Beqaj deklaron për “Zërin” se nëse ndodhë kjo, Lëvizja Vetëvendosje do të reagojë dhe pakënaqësi përveç nga ta, do të ketë edhe nga qytetarët.

“Nëse nuk ndryshon skenari paraprak amerikan, Gjykata Kushtetuese do të mbështes kërkesën e Presidentit për formimin e Qeverisë që do të shkaktojë reagimin e pakënaqësisë e LVV-së, e cila krahas anëtarësisë, mund të instrumentalizojë edhe pakënaqësitë e shtresuara masive të qytetarëve, në forma dhe intensitete të ndryshme. Gjasat për të mbështetur Gjykata Kushtetuese ankesën e VV-së varen nga fakti se a do të ndryshojë prioritetin administrata amerikane. Por edhe nëse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese vlerësojnë realisht pasojat e mundshme të një vendimi legal të parlamentarëve, që është në kundërshtim absolut me vullnetin autentik të shumicës politike të qytetarëve që votuan për ndryshime... gjasat për të ndodhë ky skenar janë të vogla, por nuk e përjashtoj. Nëse eventualisht zhvillohet ky skenar, besoj se ata që pranuan të behën instrument i skenarit të administratës amerikane do të kalojnë në defanzivë dhe do të përjetojnë ‘salto mortale’ e cila do të nxitë ofensivën e VV-së, që mund shkallëzohet me autarizëm i cili potencialisht mund të përfundojë në autarkizëm”, tha Beqaj.

Në lidhje me ndikimin në Gjykatën Kushtetuese pas presionit të mundshëm nga ana e presidentit dhe kryeministrit në detyrë, Beqaj thotë se beson që presion ka nga të dyja palët.

“Besoj se presionet e dy palëve janë të pranishme. Por, fakti se GJK-ja u deklarua kundër këtij diskursi është pasqyrë e mungesës se integritetit profesional të gjyqtarëve të GJK-së. Ata gjyqtarë që nuk e njohin dhe nuk e mbrojnë të vërtetën janë të marrë! Ndërsa ata që e njohin dhe nuk e kundërshtojnë, pavarësisht nga presioni, janë të rrezikshëm”, u shpreh Belul Beqaj.

Për një vendim të mundshëm në favor të formimit të qeverisë së re, dhe ky të jetë i pranueshëm edhe nga LVV-ja, sipas Beqajt, nëse kjo ndodhë gjasat janë të mëdha në formim të qeverisë “Hoti” e kjo gjë mund të ndodhë nëse ndryshon skenari paraprak.

“Nëse nuk ndryshon skenari paraprak, gjasat janë të mëdha të formohet Qeveria ‘Hoti’. Kjo qeveri mund të zgjasë derisa t’i kryen detyrat që i ka marrë. Por edhe nëse nuk i kryen ato. Jo më gjatë se përfundimi zyrtar i pandemisë së sëmundjes COVID-19. Pas përfundimit të pandemisë do të shpërthejë pakënaqësia e akumuluar ndër vite që do të detyrojë atë qeveri të shkojë në harresë”, potencoi Beqaj.

Ndërkaq, Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, për “Zërin” tha se sistemi parlamentar i qeverisjes i aplikuar në Kosovë është i ndërtuar në atë mënyrë që të balancojë raportin në mes të ekzekutivit dhe legjislativit.

Siç shprehet ai, Kuvendi mund të zgjedh të shkarkojë Qeverinë, por Qeveria nuk ka të njëjtën aftësi reciproke për të shpërndarë Kuvendin.

“Rregullat e Kushtetutës favorizojnë formimin e një qeverie të re në rast të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, pa pasur nevojë të shkohet në zgjedhje. Në këtë rast, Kushtetuta i jep diskrecion të kufizuar Presidentit që të vendosë duke pasur parasysh vullnetin e shumicës parlamentare”, tha Krasniqi.

Teksti i mocioneve të mosbesimit ndaj qeverisë, Krasniqi thotë së është një pikënisje e mirë për të vlerësuar vullnetin e shumicës së deputetëve, por edhe konsultimet e presidentit me partitë parlamentare.

“Në tekstin e mocionit të mosbesimit të votuar në Kuvend me 25 mars është shprehur qartë se deputetët kërkojnë formimin e një qeverie të re brenda legjislaturës ekzistuese. Kosova ka vetëm 12 vite prej miratimit të Kushtetutës dhe shumë norma të saj akoma nuk janë testuar në praktikë, siç është edhe kjo e formimit të qeverisë pas mocionit të mosbesimit”, tha më tutje ai.

Sa i përket presionit që po i bëhet Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me vendimin që pritet të merret me datë 29 maj, Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, për “Zërin” ka thënë se po ndodhë për dy qëllime.

Qëllimi i tyre, sipas Krasniqit, është të ndikojnë në vendimmarrje dhe deligjitimim të vendimit që kjo gjykatë mund të marrë. E nëse ky vendim nuk respektohet, sipas Krasniqit, cilado palë që kundërshton do ta dëshmojë se janë kundër rendit dhe sundimit të ligjit.

“Prej se Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim kërkesën për vlerësim të dekretit të Presidentit, ka pasur presion dhe kërcënime të vazhdueshme në drejtim të anëtarëve të Gjykatës. Kjo po bëhet me dy qëllime, për të ndikuar vendimmarrjen, por edhe për të delegjitimur vendimin që mund të marrë Gjykata. Palët e përfshira në këtë rast, duhet të respektojnë aktgjykimin cilido që të jetë ai, në të kundërtën do të dëshmojnë që janë kundër sundimit të rendit dhe ligjit”, ka thënë më tutje ai.

Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese merret në favor të formimit të qeverisë së re nga LDK-ja dhe partitë e tjera që tashmë janë deklaruar se bëhen pjesë e këtij koalicioni, vështirësitë për të funksionuar, sipas Krasniqit, janë të mëdha. Sipas tij, kjo ndodhe sepse kjo qeveri ka përballë vetes një opozitë të zëshme, përfshirë këtu edhe çështjet tjera me rëndësi e vendimet që duhet të merren.

“Formimi i qeverisë së re nga LDK-ja dhe të tjerët do të hasë në vështirësi të shumta, pasi në këtë do të ketë përballje me dy parti opozitare mjaft të forta, si në aspektin e numrave në Kuvend por edhe formës së të bërit opozitarizëm. Pastaj çështjet që ka para vetes, si përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe kriza ekonomike pas pandemisë. Shto këtu përfundimin e mandatit të Presidentit vitin e ardhshëm që mund të çojë në shpërndarjen e Kuvendit”, shtoi më tutje Krasniqi.

Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, vështirë se do të kalojë në Kuvend

Ndërkaq, sa i përket çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, bazuar në dy partitë eventuale opozitare, analisti politik, Mazllum Baraliu, thotë se pa një konsensus mes kësaj opozite dhe pozitës së re, përmbyllja e këtij procesi është vështirë e arritshme.

“Meqë në opozitë eventuale do të jenë dy parti të rëndësishme dhe të mëdha e aktive, si dhe të fuqishme dhe kërkuese, pa një konsensus paraprak dhe gjithëpërfshirës pozitë-opozitë, vështirë mund të imagjinohet përmbyllja me sukses dhe me dobi kombëtare e dialogut. Aq më tepër, nëse nga qeveria pranohet çdo gjë që servohet nga Beogradi, Brukseli e Washingtoni, vetëm për kinse për të ruajtur marrëdhëniet e mira me çdo kusht me këto qendra vendosëse”, tha ai.

Kurse Belul Beqaj mendon se skenari i administratës Trump për zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë është joreal, sepse, siç shprehet ai për “Zërin”, “fuqisë së administratës Trump i mungon drejtësia”.

“Mendoj se skenari i administratës Trump është joreal. Diku pata lexuar se më i fuqishmi nuk është asnjëherë mjaftueshëm i fuqishëm, përveçse kur e kthen fuqinë në drejtësi dhe bindjet në detyrë. Në rastin e këtij skenari, mendoj se fuqisë së administratës Trump i mungon drejtësia dhe ajo që është shumë me rëndësi, shumica, brenda dhe në Evropë, nuk është e bindur në arsyeshmërinë e këtij skenari”, theksoi Beqaj.

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” është i mendimit se përmbyllja e dialogut me Serbinë do të jetë e vështirë nga qeveria e re “Hoti”.

“Përmbyllja e dialogut do të jetë e vështirë, pasi edhe personat e propozuar në këtë Qeverinë Hoti janë më shumë teknokratë sesa që kanë peshë politike. Vështirësi më e madhe do të jetë ratifikimi i çfarëdo marrëveshje në Kuvend dhe pranimi i saj nga qytetarët”, përfundoi Krasniqi.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 26.2 për qind të votave, ndërsa pas saj doli LDK-ja me 24.5 për qind. Këto dy parti, pas rreth 4 muajsh negociata, më 3 shkurt 2020, arritën të pajtoheshin për koalicion qeverisës. Mirëpo vetëm 50 ditë pas nënshkrimit të koalicionit, LDK-ja ngriti mocion mosbesimi ndaj Qeverisë “Kurti”, mocion i cili u votua më 25 mars, nga 82 deputetë. Nga ajo kohë, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë.

Pas këtij veprimi, presidenti Hashim Thaçi nisi një komunikim me letra me kreun e LVV-së, Albin Kurti, të cilit ia kërkoi emrin e mandatarit të ri për formimin e qeverisë së re. Por, edhe pas disa letërkëmbimeve mes tyre, kreu i VV-së nuk i paraqiti ndonjë emër presidentit. Kurti kërkonte shkuarje në zgjedhje.

Më pas, më 22 prill, Thaçi takoi udhëheqësit e partive parlamentare për t’u konsultuar rreth formimit të një qeverie të re. Pas takimit, ai pati thënë se të gjitha partitë, pos Vetëvendosjes, janë shprehur pro formimit të qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje, ndërsa si rrjedhojë, tha se “do t’i japë mandatin cilësdo parti që dëshmon se ka shumicën në kuvend për të formuar qeverinë e re”.

Në ndërkohë, Thaçi i kishte dërguar letra kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, si parti e dytë më e madhe e dalë nga zgjedhjet e fundit, për të marrë emrin e mandatarit të ri të formimit të Qeverisë. E pas marrjes së garancisë se kjo parti ka arritur të sigurojë shumicë të re parlamentare, presidenti Thaçi doli në një konferencë për media ku tha të ketë pranuar një letër nga kreu i LDK-së, ku Mustafa i konfirmon se “mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për formimin e qeverisë së re, duke përfshirë edhe sigurimin e shumicës parlamentare”.

“Informoj se sapo kam dekretuar zotin Avdullah Hoti, si të nominuar për kryeministër të ri të Qeverisë së Kosovës. Në ditët në vijim një tjetër qeveri e re mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të Republikës sonë”, kishte thënë Thaçi.

Pas këtij dekreti, Vetëvendosje dërgoi menjëherë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij, ndërsa njëkohësisht kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme.

E menjëherë pas ankesës së VV-së, Kushtetuesja vendosi masën e përkohshme me të cilën pezullohet zbatimi i dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës deri më 29 maj./Zëri