Kurti thotë se nga Kushtetuesja pret vetëm interpretim

Kurti thotë se nga Kushtetuesja pret vetëm interpretim

Aktuale May 26, 2020 - 11:51

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ishte për vizitë në Qendrën e Studentëve, e cila po shfrytëzohet për karantinim të personave të kthyer nga jashtë.

Nga mediet e pranishme ai u pyet për Gjykatën Kushtetuese, kur kanë mbetur edhe tri ditë deri në marrjen e vendimit rreth dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e qeverisë së re. Ai tha se vendimi i përket Gjykatës Kushtetuese dhe se pret vetëm interpretim dhe zbatim të Nenit 112, raporton “Zeri.info”.

“Nuk mund të përflas atë që po përflitet, dhe së dyti, këtu kur u takova me vullnetarët ma kishin zgjedhur karrigen më të mirë. Duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pastaj mund të flasim. Unë pres nga Kushtetuesja që në përputhje me Nenin 112 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të bëjë interpretim të Kushtetutës e jo shkrim të saj. As presidenti e as Gjykata Kushtetuese nuk mund ta shkruajnë Kushtetutën, ne duhet ta respektojmë atë dhe ta zbatojmë. Presidenti çfarë ka thënë për mua i përshkruan dëshirat e tij si fakte për mua”, tha Albin Kurti, kryeministër në detyrë, raporton “Zeri.info”.

Kurti tha po ashtu se menaxhimi i mirë i situatës së pandemisë ka bërë që në fund të këtij muaji të hiqet karantina.

“Isha në dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë, ku vizituam vullnetarët në Qendrën e Thirrjeve. Bisedova me drejtorin, vullnetarët, policët, mjekët, infermierët, të cilët e kanë menaxhuar karantinën, që siç ka paralajmëruar ministri Arben Vitia në fund të muajit do të mbyllet, meqë janë krijuar kushtet për fitore ndaj COVID-19. Liberalizimi i masave do të përcillet me vigjilencë të shtuar, ruajtja e distancës fizike së paku 2 metra, të mbahet higjiena dhe mospraktikimi i vizitave familjare, besoj që në javën e ardhshme do të merremi me lirimin e masave të tjera. Normaliteti nuk do të jetë si i vjetri, sepse nuk e kemi vaksinën”, u shpreh Kurti pas vizitës që ia bëri Qendrës së Studentëve. /Zëri