Veseli nga “Lagjja e Trimave” në Prizren zotohet për themelimin e tribunalit për krimet serbe në Kosovë

Veseli nga “Lagjja e Trimave” në Prizren zotohet për themelimin e tribunalit për krimet serbe në Kosovë

Aktuale May 26, 2020 - 13:13

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar masakrën në “Lagjen e Trimave” të Prizrenit, duke thënë se asnjëherë nuk do të ndalet së punuari drejt themelimit të tribunalit për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë, transmeton “Zeri.info”.

“Unë nuk do të ndalem në angazhimin tim për të themeluar tribunalin për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ne nuk duhet të pushojmë së punuari për të vënë para drejtësisë të gjithë kriminelët serbë që masakruan qytetarët tanë të pafajshëm”, ka thënë Veseli.

Përmes një shkrimi në “Facebook” kreu i PDK-së ka thënë se në “Lagjen e Trimave” në Prizren forcat serbe vranë e masakruan 27 civilë shqiptarë.

“26 maji i vitit 1999 u kthye në tragjedi për popullin tonë në ‘Lagjen e Trimave’ të Prizrenit. Forcat serbe vranë e masakruan 27 civilë shqiptarë, të cilët kishin vendosur të mos largohen nga shtëpitë e tyre kur mijëra të tjerë po dëboheshin drejt Shqipërisë”, ka shkruar ai.

Tutje Veseli ka shkruar se djemtë dhe vajzat e kësaj lagjeje ishin luftëtarët më të mirë të UÇK-së.

“Vrasja e tyre 21 vjet më parë ishte hakmarrje e egër e forcave serbe ndaj kësaj lagjeje dhe fshatrave të Vërrinit e të Opojës, të cilët ishin baza të UÇK-së gjatë luftës çlirimtare kundër Serbisë. Djemtë dhe vajzat e kësaj lagjeje ishin luftëtarët më të mirë e më trima të UÇK-së”, ka potencuar kreu i PDK-së, Kadri Veseli.