Manxhuka: Presidenti tash flet për respektim të rekomandimeve të IKSHPK-së, mirëpo i njëjti i shkeli ato

Manxhuka: Presidenti tash flet për respektim të rekomandimeve të IKSHPK-së, mirëpo i njëjti i shkeli ato

Aktuale May 26, 2020 - 13:55

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar ndaj presidentit Hashim Thaçi, pasi ky kërkoi respektim të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik gjatë pandemisë.

Manxhuka tha se Thaçi ishte ai që fillimisht bëri thirrje për mosbindje ndaj masave të Qeverisë për kufizim të lirisë së lëvizjes, të cilat erdhën si rezultat i rekomandimeve të IKSHPK-së, raporton “Zeri.info”.

“Personi i cili bëri thirrje për mosbindje ndaj masave të Qeverisë, që erdhën si rezultat i rekomandimeve të IKSHP-së dhe i njëjti që frekuentonte kafenetë, dhe i njëjti që shkeli këto rekomandime të përkthyera në rregulla kur doli në Shqipëri, sot na foli se si duhet të respektohen rekomandimet e IKSHP-së, tash kur jemi në përfundim të suksesshëm të pandemisë, ky që dështoi të shpallte gjendje të jashtëzakonshme”, shkroi Manxhuka.

Kujtojmë se Thaçi, menjëherë pas njoftimit për masat nga Qeverisë në detyrë për t’u mbrojtur nga pandemia, doli në një konferencë për medie, duke kërkuar nga qytetarët që të mos u binden këtyre masave. Të njëjtat i quajti antikushtetuese. Ndërkaq, këtë çështje e dërgoi edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila po ashtu masat i cilësoi jokushtetuese.

Në ndërkohë, presidenti kishte bërë një udhëtim për në Shqipëri, udhëtim i cili u komentua shumë në opinion, pasi u tha se në kthim për në Kosovë në veturën e Thaçit ishte edhe deputeti Behgjet Pacolli. Megjithatë, kjo gjë doli të ishte e pavërtetë, pasi Pacolli erdhi nga Tirana me aeroplanin e tij në Prishtinë pak kohë më pas.

E mediet po ashtu publikuan një video, ku Thaçi shihej teksa dilte nga një restorant në Prishtinë gjatë kohës kur masat kufizuese nënkuptonin që të gjitha restorantet dhe kafenetë duhej të ishin të mbyllura.