Thaçi kërkon formim të shpejtë të qeverisë së re pas vendimit të Kushtetueses
Foto:Laura Hasani

Thaçi kërkon formim të shpejtë të qeverisë së re pas vendimit të Kushtetueses

Aktuale May 28, 2020 - 22:57

 

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me dekretin e presidentit Thaçi për mandatarin Avdullah Hoti, kreu i shtetit ka mirëpritur këtë vendim, shkruan “zeri.info”.

“Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese”, thotë presidenti në postimin e tij në “Facebook”.

I pari i vendit ka kërkuar nga partitë politike dhe të gjitha institucionet që të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

“Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka potencuar ai.

Presidenti ka shtuar se Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj “tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”. /ZERI