Posta shpall konkurs për kryeshef ekzekutiv dhe për zyrtar të Financave e të Thesarit

Posta shpall konkurs për kryeshef ekzekutiv dhe për zyrtar të Financave e të Thesarit

Aktuale May 29, 2020 - 10:22

Posta dhe Telekomi i Kosovës ka shpallur konkurs për pozitën e kryeshefit ekzekutiv dhe për pozitën e zyrtarit kryesor të Financave dhe të Thesarit.

Ky konkurs është hapur pas shkarkimit nga detyra të Shefqet Avdijës dhe të Behgjet Maliqit, përcjell “Zeri.info”.

Këtë konkurs PTK-ja e ka bërë publik në faqen zyrtare në “Facebook”.

Më 10 prill ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, njoftoi se Bordi i përkohshëm i Postës së Kosovës e ka shkarkuar nga detyra kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie, Shefqet Avdija, dhe sekretarin financiar të saj, Behgjet Maliqi.

“Ky shkarkim është bërë në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike”, pati thënë Hajdari, duke shtuar se ndërmarrja kishte degraduar gjatë viteve të fundit.

Trendi i humbjeve financiare në këtë kompani publike, sipas saj, ka vazhduar nga viti në vit.

Ajo mbrojti vendimin e Bordit të përkohshëm, për të cilin tha se është marrë në bazë të ligjit dhe për të ndaluar keqmenaxhimin e parasë publike.

“Vetëm në vitin 2018 humbjet kanë qenë 2 milionë e 333 mijë euro”, tha Hajdari.

Ndërkaq, drejtori i Bordit të përkohshëm, Mentor Arifaj, tha se duke u bazuar në raportet e auditivit “kontrolli i menaxhimit financiar nuk është në nivelin e duhur”.

Më 2 prill Qeveria në detyrë e Kosovës kishte shkarkuar Bordin e Postës së Kosovës dhe e kishte emëruar një bord të përkohshëm.

Qeveria e kishte arsyetuar shkarkimin me faktin se “Bordi i Postës së Kosovës ka shkelur detyrat financiare”.