KDI-ja kërkon tranzicion demokratik të pushtetit nga LVV-ja te koalicioni i ri qeverisës

KDI-ja kërkon tranzicion demokratik të pushtetit nga LVV-ja te koalicioni i ri qeverisës

Aktuale May 29, 2020 - 11:28

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), pas vendimit me të cilin Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë presidentit Thaçi për mandatarin e ri, ka bërë kërkesë për respektim të këtij vendimi.

Nga ky institut po ashtu kanë bërë kërkesë që të gjitha palët të sigurojnë një tranzicion demokratik të pushtetit nga Lëvizja Vetëvendosje te koalicioni LDK – AAK - Nisma dhe te minoritetet, përcjell “Zeri.info”.

Njoftimi i plotë i KDI-së:

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka përcjellë në vazhdimësi të gjitha zhvillimet lidhur me çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë së re, që prej inicimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë ‘Kurti’ e deri tek aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, që i jep të drejtë mandatarit të propozuar nga subjekti i dytë për formim të qeverisë.

KDI-ja konsideron që vendimi i djeshëm i Gjykatës lidhur me dekretin e presidentit ka sqaruar disa prej dispozitave dhe parimeve më të ndjeshme që ndërlidhen me formimin e qeverisë, duke evituar situata të bllokimit edhe në të ardhmen.

KDI-ja u bën thirrje të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve të vendit që të respektojnë në plotësi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si institucioni vetëm që ka përgjegjësinë për interpretimin e Kushtetutës dhe i cili është obligativ për të gjitha institucionet në Kosovë.

Është në përgjegjësinë e të gjitha palëve të përmbahen nga gjuha dhe veprimet jodemokratike, duke siguruar tranzicion të qetë të pushtetit, i cili është qenësor për të ruajtur funksionimin e shtetit. KDI-ja rikujton se vendi ndodhet para proceseve të rëndësishme politike dhe sfidave ekonomike, që kërkojnë konsensus dhe funksionalitet të plotë të institucioneve.

KDI-ja përkrah të drejtën e qytetarëve për të shprehur mospajtimet e tyre nëpërmjet protestës, për sa ato janë demokratike dhe nuk prodhojnë tensione, të cilat do të mundë të dëmtonin të ardhmen e Kosovës dhe të qytetarëve të saj.