Grenell: Pres me padurim ta vazhdoj punën me Qeverinë e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Grenell: Pres me padurim ta vazhdoj punën me Qeverinë e Kosovës

Aktuale May 29, 2020 - 11:32

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë që të pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re.

Përmes një komunikate për medie Grenelli thotë se mezi pret që të punojë me Qeverinë e Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese ka folur. Për të garantuar paqen dhe stabilitetin dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës, të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe me qeverinë e tyre për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe vende pune në rajon”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Richard Grenelli, shkruan REL-i.

Që nga emërimi në pozitën e të dërguarit special të SHBA-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë Grenelli ka qenë kritik ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, nga e cila kërkonte me ngulm heqjen e tarifës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Grenelli kritikoi qeverinë “Kurti” edhe pas heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit.

Nën ndërmjetësimin ambasadorit Grenell Kosova dhe Serbia arritën dy marrëveshje në fillim të këtij viti. E para për vendosjen e një linje direkte Prishtinë – Beograd, si dhe marrëveshja tjetër për funksionalizimin e hekurudhave.