Emrat e ministrave që dihen deri tani në Qeverinë “Hoti”

Emrat e ministrave që dihen deri tani në Qeverinë “Hoti”

Aktuale May 29, 2020 - 16:38

Qeveria e re, në krye me LDK-në dhe partnerët e koalicionit, AAK, Nisma dhe komunitetet, pritet të formohet së shpejti pasi Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaçi të mandatar Avdullah Hotin për formimin e qeverisë së re.

Por deri tani, vetëm AAK-ja ka bërë publik emrat dhe ministritë që do t’i udhëheq, shkruan Zeri.info.

Në marrëveshjen që Ramush Haradinaj ka nënshkruar me LDK-në, më 29 prill, AAK-ja merr një zëvendëskryeministër, Ministrinë e Drejtësisë, atë të Arsimit, të Punëve të Jashtme dhe ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes, ka qenë vet kreu i AAK-së i cili ka zbuluar edhe emrat që do t’i udhëheqin këto ministri.

Sipas marrëveshjes, Zëvendëskryeministër do të jetë Besnik Tahiri, MPJ-në do ta drejtojë Meliza Haradinaj, Ministrinë e Drejtësisë, Selim Selimi, Blerim Kuçi do ta drejtojë ministrinë e Zhvillimit Ekonomik teksa Ramë Likaj ministrinë e Arsimit, shkruan “Zëri”.

Por partneri tjetër i koalicionit, Nisma Socialdemokrate, ende nuk ka emra për ministritë që do pritet t’i udhëheq.

Enver Hoti nga kjo parti, ka bërë të ditur për “Zërin” se nuk kanë ende emra për dy ministritë që pritet t’i udhëheqin dhe se janë në fazën përmbyllëse të bisedimeve

“Jemi në diskutime, besoj që gjithçka do ta bëjmë publike brenda afateve që janë të përshtatshme edhe për emra dhe çështje tjetër, do të diskutojmë brenda strukturave. Ne i kemi dy ministri por jemi në fazën përmbyllëse të bisedimeve”, ka thënë Hoti për “Zërin”.

Emrat e ministrave nuk i ka bërë publike deri tani as LDK-ja, e cila pritet të udhëheq me qeverinë e re. /Zëri