Shfuqizohen vendimet anti-koronavirus

Shfuqizohen vendimet anti-koronavirus

Aktuale May 31, 2020 - 21:44
Image

Qeveria në detyrë është mbledhur sot fizikisht pas disa muajsh të takimeve online për shkak të pandemisë COVID-19.

Takimi i sotëm u zhvillua për shfuqizimin e vendimeve të cilat kishin hyrë në fuqi si masa për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Në këtë mbledhje u mor vendimi për nisjen e fazës së tretë të lehtësimit të masave kundër këtij virusi, shkruan Zeri.info.

Pas mbledhjes, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, mbajtën një konferencë për media ku dhanë detaje për lehtësimin e masave të fazës së tretë.

Kurti bëri të ditur se nga nesër fillon hapja e çerdheve, e më pastaj shkollat për klasat e 9-ta dhe të 12-ta.

“Nga nesër fillojmë me hapjen e kopshteve dhe çerdheve nga mosha 0 deri 5 vjet. Shkollat të cilat kanë qenë të mbyllura për nxënësit që prej fillimit të pandemisë, do të hapen vetëm pjesërisht për nxënësit e klasave të nënta dhe klasave të 12-ta. Klasat e nënta do të kthehen në shkollë prej datës 8 qershor dhe do të mbajnë mësim deri më datën 19 qershor si përgatitje për testin e arritshmërisë. Ndërkohë, klasat e 12-ta do të kthehen prej datës 15 qershor dhe do të mbajnë mësim deri më 30 qershor. Testi për klasat e nënta do të mbahet me 23 qershor, ndërsa për klasat e 12-ta me 4 korrik”, deklaroi Kurti, raporton Zeri.info.

Ndërsa ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se nga nesër do të hapen disa nga kufijtë tokësorë, dhe të gjithë ata që hyjnë në vend duhet t’i nënshtrohen kontrolleve për COVID-19, shkruan Zeri.info.

“Më 13 mars e patëm marrë vendimin për mbylljen e kufijve, sot shfuqizuam vendimin por të gjithë ata që hyjnë në Kosovë obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve. Nga nesër hapen pikat kufitare në Merdarë, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë. Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, obligohen t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve (Qendrave kryesore të mjekësisë familjare) në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër COVID-19. Ndërsa, të gjithë ata që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe posedojnë rezultatin negativ për testin Covid-19 RT PCR (jo më i vjetër se 4 ditë), nuk i nënshtrohen procedurave të vetizolimit, ata që nuk kanë testin sipas pikës 6.1, detyrohen të vetizolohen për 7 ditë. Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare. Deri me datën 20 qershor do të bëhet rivlerësimi i situatës epidemiologjike dhe me këtë do reflektohen masa të reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën e Kosovës”, theksoi Vitia, duke shtuar se pas një jave do të rivlerësohet situata edhe për hapjen e kufijve ajrorë.

Tutje, ministri i Shëndetësisë shtoi se nga nesër do të hapen edhe baret, kafenetë, restorantet dhe qendrat tregtare, ndërsa teatri dhe kinematë paraqesin ende rrezik, prandaj hapja e tyre do të shtyhet deri në një kohë të pacaktuar.

Megjithatë, ekzekutivi bëri thirrje që qytetarët të vazhdojnë të kenë kujdes, sepse virusi ende është prezent.

Në mbledhjen e Qeverisë, munguan ministrat e LDK-së. Për mungesën e tyre, kryeministri në detyrë tha se nuk e di arsyen.

“Ministrat në detyrë (të LDK-së) nuk e di pse nuk kanë ardhur, ata e kanë për detyrë mbledhjen, nuk dihen arsyet as motivet e mosardhjes së tyre”, u shpreh Kurti.

Ndërkaq, ministri Vitia gjatë kësaj konference është deklaruar edhe për shkrimet dhe raportimet e mediave për blerje të pajisjeve mjekësore me çmime të larta gjatë pandemisë, mirëpo ai tha se këto gjetje ishin të vitit të kaluar dhe se ky rast ka shkuar në Prokurori dhe po hetohet.

“Ditëve të kaluara kemi marrë një raport për shpenzime, ato ishin të vitit 2019. Nëse ka shkelje të tilla, do të veprojmë konfrom ligjeve”, tha Vitia.

Gjithashtu, qeveria në këtë mbledhje ka miratuar edhe Raportin vjetor të Statistikave Zyrtare për vitin 2019. Ky raport, përveç informatave mbi zhvillimin dhe të arriturat e përgjithshme, matjes dhe fuqizimit të kornizës vlerësuese dhe monitoruese të performancës, mbulon edhe numrin e publikimeve, titujt e publikimeve dhe frekuencat e publikimeve në nivel të ASK-së, si dhe fushave sektoriale që janë realizuar gjatë vitit 2019, krahasuar me vitin paraprak.

Në vendin tonë, nga 13 marsi kur u raportuan rastet e para me sëmundjen COVID-19, rezultojnë 1083 të prekur me këtë sëmundje, nga të cilët 843 janë shëruar, kurse 30 e kanë humbur luftën me të. /Zëri