Infektuar: 4715
Shëruar: 2227
Vdekur: 101
Jashari i kundërpërgjigjet Lushtakut

Jashari i kundërpërgjigjet Lushtakut

Aktuale June 01, 2020 - 20:59

Zgjedhja e anëtarit të familjes Jashari kryetar i Skenderajt u pat pritur mjaft mirë në këtë Komunë. Partia Demokratike e Kosovës, për ta respektuar kryetarin e tanishëm, Bekim Jashari, u pat tërhequr nga gara.

Por kështu nuk ndodhi edhe në terren. Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, kohë më parë publikoi foto duke shpërndarë pako ushqimore me logo të PDK-së, në disa fshatra të Skenderajt. Kjo ishte parë me sy të keq nga Jashari.

Ai pat deklaruar se është e dhimbshme të shfrytëzohet situata emergjente e të ndihmohen qytetarët në emër të partisë.

Jashari, këtë veprim të Lushtakut e pat cilësuar si të “të dhimbshëm dhe jonjerëzor”.

Akuza e kundërakuza në mes tyre kishte pasur edhe më herët.

Jashari pati thënë se nuk befasohet për sabotimin që Lushtaku po tenton t’ia bëjë atij, pasi sipas tij, ai kishte ikur në Gjermani edhe në vitin 1998.

E Lushtaku pat reaguar ndaj këtyre pretendimeve të Jasharit.

Sipas tij, kryetari i tanishëm i Skenderajt, ka tentuar të ndërhyjë për qëllime të ulëta në PDK, në Skënderaj. Ndërsa për akuzat e kohës së luftës, Lushtaku pat thënë se Bekim Jashari nuk di asgjë për kohën e luftës, edhe ato që i di i ka nga informatat gjysmake që ka dëgjuar nga të tjerët.

Mirëpo, saga e akuzave vetëm sa po shtohet.

Së fundmi, në një shkrim të gjatë, Jashari ka radhitur një numër të madh akuzash ndaj Sami Lushtakut.

I pari i Skenderajt e fillon shkrimin duke thënë se nuk ka dashur që në kohë pandemie të flasë për pretendimet e Lushtakut. Po ashtu ai thekson se kjo deklaratë nuk ka të bëjë as me fushatën zgjedhore, e cila thotë se edhe ashtu do të fillojë në tremujorin e fundit të viti 2021.

Mirëpo Jashari në këtë postim i ka përmendur disa vite që përkojnë me kohën e paraluftës e që nënkupton me siguri secila nga një ngjarje që e lidh me Sami Lushtakun.

“Në këtë rast nuk do të lëshohem të flas për ngjarjet e vitit 1992, as për vitin 1993, as për vitin 1996 e 1998 në mërgim. Nuk do të flas për ngjarjet në vitin e cëlirimit, 1999. Nuk do të flas për vitet gjatë luftës, për betejat, për bizneset apo për blerjet e patundshmërive gjatë luftës dhe pasluftës. Jo, nuk do të flas as për fondet e dedikuara për luftën apo për pushtetin lokal si është udhëhequr më herët, apo për gjendjen se si e kam gjetur komunën, as për borxhet e mëdha të bartura ndër vite”, thuhet në deklaratën e Jasharit.

Ai thotë se nuk do të flasë as për kompanitë private dhe konfliktin e interesit në të, duke mos treguar decidivisht se kujt ia drejton këto pretendime, ndonëse në fillim të shkrimit ai thotë se ky postim ka të bëjë me pretendimet e Sami Lushtakut, ndërsa thotë se nuk do të flasë as për jetësimin e amanetit të dëshmorëve dhe shumë ndodhi që lidhen me ta.

Ndërsa hedh këto akuza “pa adresë”, Jashari thotë se do të punojë e veprojë për qytetarët e Skenderajt si një pasardhës i denjë i familjes Jashari.

“…Edhe unë, si shumë familjarë të dëshmorëve, e cëmojmë lirinë, por kurrë nuk e keqpërdorim për interesa personale e grupore. Unë kam qenë dhe jam falënderues ndaj secilit që nderon familjen time Jashari. Gjithsesi, duke nderuar Familjen Jashari, secili më nderon edhe mua por në rend të parë e nderon veten dhe historinë tonë të lavdishme”, shkruan i pari i Skenderajt.

Tutje ai thotë se nga mosha 18-vjeçare është dëshmuar me të njëjtën gatishmëri si të babait të tij, Shaban Jasharit, andaj thotë se nuk do të ndalet.

“Kërkesat nga qytetarët por edhe vërejtjet e tyre, i kam dëgjuar për më shumë se dhjetë vjet. Ishte koha të veproja”, shkruan në reagim e tij.

Angazhimin e tij në politikë, Jashari thotë se disa nuk e mirëpritën, por thotë se “me keqardhje do t’i dëshpëroj ata që mendojnë se një mandat i imi ishte rasteësi”.

“Nuk ishte rasteësi. Nevojat e qytetarëve nuk janë rastësi. Unë nuk do të ndalem të jem në shërbim të qytetarëve, vullnetit të sinqertë të tyre për të mirat që ata i presin pa dallim nga pushteti lokal, në cëdo cep të komunës. Shërbimi dhe përkushtimi ndaj qytetarëve është detyrim ligjor, moral, kombëtar, i vazhdueshëm dhe i pandalshëm”, shkruan ai.

Ai thotë se dy projektet për të cilat Lushtaku synon të kthehet në krye të komunës, tashmë janë në proces.

“Dy projekte madhore, Ujëmbledhësi i Kuqicës, edhe banesat e dedikuara për familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UCëK-së, do të realizohen”, thekson ai.

Këto projekte, sipas Jasharit, do të duhej të përfundoheshin në vitet e para të pasluftës.

“Qytetarëve të Skenderajt ende u mungon uji dhe kanë nevoja të shumta. Këto nevoja të qytetarëve nuk ishin brengë për ata që fuqizonin kompanitë personale”, thuhet brenda deklarimit të tij, duke aluduar në ish-kryetarin e Komunës, Sami Lushtakun.

Në fund, Jashari thotë se nuk do të ndalet në realizimin e punës dhe projekteve të planifikuara.

“Të bashkuar, me sinqeritet, angazhim maksimal, respektim të ligjit, qeverisje të mirë e transparente do të arrijmë mirëqenien e përgjithshme. Vazhdojmë bashkë”, përfundon ai.