Rrjedha e zhvillimeve nga 6 tetori e këndej, që “solli” qeverinë “Hoti”
Foto: Laura Hasani

Rrjedha e zhvillimeve nga 6 tetori e këndej, që “solli” qeverinë “Hoti”

Aktuale June 03, 2020 - 07:53

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, që pritet të fillojë në orën 11:00, fillin e ka më 6 tetor. Kjo pasi në këtë datë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, prej të cilave Lëvizja Vetëvendosje arriti të dalë subjekti i parë politik me mbi 26% të votave të fituara.

Ndërsa parti e dytë, me një diferencë të ngushtë të votave, doli Lidhja Demokratike e Kosovës (24,54%).

Këto dy parti qysh para zgjedhjeve tentuan të arrinin një koalicion, por që nuk ia dolën pasi dy liderët e partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, nuk arritën të merreshin vesh për postin e kryeministrit. Megjithatë, lanë të kuptohet se nuk do të pranonin në bashkëqeverisje asnjë parti tjetër pos njëra-tjetrës.

Kështu edhe ndodhi, ndonëse rreth 4 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve.

Por, derisa po zhvilloheshin takimet për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje mes këtyre dy partive, më 26 dhjetor të vitit të kaluar, u thirr seanca konstituive e Kuvendit, ku, në mungesë të një marrëveshjeje mes LVV-së e LDK-së dhe duke qenë se me Kushtetutë posti i kryeparlamentarit i takon partisë së parë në zgjedhje, LVV-ja propozoi Glauk Konjufcën për këtë post.

Deputeti i LVV-së u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës në seancën konstitutive të legjislaturës së 7-të parlamentare.

Konjufca mori besimin e 75 deputetëve, 27 ishin kundër dhe 6 abstenuan.

Negociatat për një marrëveshje koalicioni vazhduan edhe pas kësaj date e të cilat shpesh përfundonin me fjalinë e famshme: “Liderët u pajtuan për t’u ritakuar”.

Por, gjithçka u dakordua më 2 shkurt, kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës njoftuan për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Marrëveshja u nënshkrua nga liderët e dy partive, Albin Kurti (Vetëvendosje) dhe Isa Mustafa (LDK).

Dyshja në një konferencë të përbashkët për medie njoftoi për arritjen e marrëveshjes dhe ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re.

“Ne sot u takuam me kryetarin Isa Mustafën dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër për ta zgjedhur qeverinë e re dhe në këtë mënyrë ta jetësojmë ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshjen dhe jemi marrë vesh për të gjitha, përveç për harmonizimin e programit, edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re, ku ne do të bashkëqeverisim”, ishte shprehur i mandatuari për kryeministër në atë kohë, Albin Kurti.

Në anën tjetër, kreu i LDK-së Isa Mustafa në deklaratën pas arritjes së marrëveshjes pati premtuar ndryshime për vendin.

“Ne kemi arritur marrëveshje dhe vlerësojmë se është marrëveshje e mirë është në interes të ndryshimeve që domosdoshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë”, pati thënë Mustafa.

E më 3 shkurt në Kuvendin e Kosovës u votua qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Me gjithsej 66 vota për, asnjë kundër dhe 10 abstenime, Kurti zyrtarisht mori drejtimin e qeverisë së re në bashkëqeverisje me LDK-në.

Në të njëjtën datë (03.02.2020) deputetët e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjes së qeverisë së re votuan edhe për pozitën e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, post tanimë i takonte LDK-së në bazë të marrëveshjes për bashkëqeverisje. Besimin e deputetëve të pranishëm në sallë e mori deputetja më e votuar femër në zgjedhjet e fundit, nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Nga 67 deputetë sa ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës, me 65 vota për u zgjodh udhëheqësja e re e Kuvendit të Kosovës.

Pandemia që rrëzoi “Qeverinë e Shpresës”

Vendi, pas rreth një muaji me qeverinë e re, më datën 13 mars 2020 shënoi rastet e para me sëmundjen vdekjeprurëse COVID-19.

Rastet e para të të infektuarve me koronavirus në Kosovë ishin një burrë 77-vjeçar nga Stublla e Vitisë, i cili kishte ardhur nga Italia në Kosovë, si dhe një shtetase italiane.

Ndërkohë, para lajmërimit të rasteve të para të të infektuarve me koronavirus në Kosovë qeveria mori vendim për mbylljen e shkollave si masë mbrojtëse nga infektimi.

Pas vendimit për mbyllje të shkollave dhe pasi virusi nisi të përhapej në vend, Qeveria mori edhe vendime tjera, me të cilat u mbyllen shumë biznese, madje u diskutua edhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

4 ditë pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus në vend, kur numri i të infektuarve kishte shkuar në 19, presidenti Hashim Thaçi kërkoi mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e cila edhe u mbajt më datën 17 mars, për të diskutuar rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Kjo ditë mund të konsiderohet edhe dita kur përfundimisht koalicioni u prish. Ndonëse Kurti u deklarua kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ministri i Brendshëm, Agim Veliu i LDK-së, po atë natë, në një prononcim për mediet, pati dalë kundër këtij qëndrimi, duke thënë se duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Madje këto deklarata Veliu i bëri vetëm pak çaste pasi zëvendëskryeministri i dytë Haki Abazi, në një konferencë për medie, tha se është e panevojshme shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, siç propozoi presidenti Thaçi.

Pas kësaj deklarate të Veliut, të nesërmen, kryeministri Kurti e shkarkoi nga detyra me pretekstin se “ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e së cilës ai është”.

Menjëherë pas shkarkimit të Veliut filluan përçarjet mes koalicionit LDK-LVV.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas një mbledhjeje të Kryesisë së partisë së tij konfirmoi se deputetët e partisë së tij do të iniciojnë mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Ashtu edhe ndodhi dhe më 25 mars mocioni u hodh për votim në Kuvend, ku edhe u votua nga 82 deputetë, duke rrëzuar “Qeverinë e Shpresës”. Mocioni nuk u votua nga deputetët e LVV-së dhe nga 3 deputetët të LDK-së.

Me këtë vendim qeveria “Kurti” u bë qeveria më jetëshkurtër në historinë e qeverive të Kosovës, me vetëm 50 ditë punë.

Ndërkaq Kurti, tashmë kryeministër në detyrë, menjëherë pas kalimit të mocionit shkarkoi nga detyra e zëvendëskryeministrit Avdullah Hotin e LDK-së.

Mandatari i ri

Pasi vendi mbeti pa qeveri të rregullt topi kaloi te presidenti Thaçi për të kërkuar emrin e mandatarit të ri. Më datën 2 prill 2020 ai i dërgoi Albin Kurtit, si lider i partisë që doli e para në zgjedhjet e fundit, letrën e parë, me të cilën i kërkoi emrin e mandatarit për kryeministër të ri.

Por Kurti, edhe përkundër tri kërkesave të Thaçit për emrin e mandatarit të ri, nuk ia dha një të tillë.

E meqë nuk mori përgjigje pozitive nga Kurti, pasi që ky kërkonte që vendi të shkonte në zgjedhje, Thaçi, në letrën që e publikoi më 22 prill, tha se e ka njoftuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se “pas mungesës së përgjigjes në lidhje me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë, në bazë të autorizimeve kushtetuese, presidenti do t'i fillojë bisedimet me liderët e partive tjera politike”.

“Me keqardhje konstatoj se me veprimet tuaja nuk e keni shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për ta formuar qeverinë, në pajtim me vendimin e KQZ-së për certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, shkruan presidenti Thaçi në letër, duke e njoftuar Kurtin se “do të veprojë në bazë të kompetencave që garantohen me Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014”, shkruante në letrën e Thaçit.

Menjëherë pasi presidenti paralajmëroi se do të nisë konsultimet me partitë politike për kalimin e mandatit te një subjekt tjetër politik për formimin e qeverisë së re, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) filluan takimet në përpjekje për të arritur koalicionit qeverisës.

Takime të ngjashme u mbajtën edhe me Nismën Socialdemokrate dhe me Aleancën Kosova e Re, të cilat u deklaruan asokohe se mund të jenë pjesë e koalicionit të ri. Po ashtu takime u zhvilluan edhe me Listën Serbe, si dhe me komunitetet tjera joshumicë që së bashku kanë 20 vende në Parlament.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e udhëhequr nga Kadri Veseli, u deklarua se nuk dëshiron të jetë pjesë e qeverisë së re, por do të qëndrojë në opozitë.

Po më 22 prill presidenti i vendit mbajti takim me liderët e partive politike parlamentare, nga të cilët mori miratimin për formimin e qeverisë pa shpërndarjen e Kuvendit dhe pa mbajtur zgjedhje të reja në kohë pandemie.

Një ditë pas, më 23 prill, pas takimit të mbajtur me liderët e partive, Thaçi i kërkoi partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, LDK-së, emrin e mandatarit për qeverinë e re të Kosovës.

“Pas mosdërgimit të emrit të kandidatit për të formuar Qeverinë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, përkundër 5 kërkesave nga ana e presidentit të vendit, si dhe në përputhje me kriteret mbizotëruese për formimin e qeverisë së re, pas takimit të pasdites së djeshme ku kreu i LDK-së Mustafa ka konfirmuar se ka siguruar shumicën e mjaftueshme në Kuvend, presidenti Thaçi përmes një letre i ka kërkuar emrin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë së Kosovës”, u tha kështu në njoftimin e Zyrës së presidentit, shkruan “Zëri.info”.

Në të njëjtën datë (23 prill) Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës nominoi Avdullah Hotin për kryeministër të ri të Kosovës.

Pas konsultave me partitë tjera opozitare LDK-ja arriti numrin prej 61 deputetëve nënshkrues për të nominuarin për kryeministër, Avdullah Hoti dhe më 30 prill presidenti Hashim Thaçi e dekretoi Hotin për kryeministër të Kosovës.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Po atë ditë, pas orarit të rregullt të punës së Gjykatës Kushtetuese, kjo parti iu drejtua kësaj gjykate për të kërkuar opinion ligjor për dekretin e Thaçit.

“Sapo dorëzuam kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë për dekretin e presidentit, këtë që e bëri në kohën e pandemisë. Me këtë dekret ne vlerësojmë që presidenti ka vazhduar të shkelë Kushtetutën. Jorastësisht në këtë kohë, ku po përfundon java e punës, kur e dimë që nesër është festë, presidenti është kujdesur që bashkë me bashkëpunëtorët e tij, që po ia kërkojnë këtë që qoftë Gjykatën Kushtetuese ose administratën ta gjejë të pushuar si pasojë e festës”, pati thënë shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Edhe Kushtetuesja nuk vonoi dhe i dha përgjigje kërkesës së LVV-së. Më 1 maj, në ditë pushimi, kjo gjykatë njoftoi se ka vendosur që të pezullojë dekretin e presidentit.

Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme, duke shtyrë deri më datën 29 maj marrjen e një vendimi për këtë lëndë.

“Gjykatën Kushtetuese me shumicë votash vendosi: Të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi, si dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën një të këtij diapozitivi”, u tha në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pas pothuajse një muaji dhe pas shumë presioneve publike që iu bënë Gjykatës Kushtetuese, herë nga presidenti e herë nga kryeministri në detyrë, më datën 28 maj Kushtetuesja doli me aktgjykimin, që i dha të drejtë dekretit të presidentit.

Në vendim u tha se Gjykata Kushtetuese vendos “të shpallë, me shumicë votash, që Dekreti [nr. 24/2020] i 30 prillit 2020 i presidentit të Republikës së Kosovës, përmes së cilit ‘Z. Avdullah Hoti i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar qeverinë e Republikës së Kosovës’, është në përputhshmëri me paragrafin (14) të Nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] në lidhje me Nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Gjykata konstatoi se Vetëvendosja nuk ka dhënë asnjë indikacion për propozimin e mandatarit në shkresat e dërguara presidentit Hashim Thaçi, prandaj edhe dekreti i presidentit është kushtetues.

Vendimi u përkrah nga partitë që synojnë të formojnë qeverinë e re dhe nga Thaçi, por u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosje. Lideri i saj, Kurti, tha se nuk e pranon këtë vendim.

Ndërkaq, pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Kushtetueses, LDK-ja i dërgoi kërkesë Kuvendit për mbledhje të Kryesisë, e cila u mbajt më 1 qershor, ku edhe u vendos që seanca për votimin e qeverisë së re të mbahet sot, më 3 qershor, në orën 11:00. /ZËRI