Deputetja Gaxherri reagon ndaj Osmanit: Mos manipulo, Serbia nuk ka sjellë donacione në Kosovë

Deputetja Gaxherri reagon ndaj Osmanit: Mos manipulo, Serbia nuk ka sjellë donacione në Kosovë

Aktuale June 04, 2020 - 13:01

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka reaguar pas deklaratës së kryetares së Kuvendit Vjosa Osmanit, e cila tha se Kosova ka pranuar edhe më herët donacione nga Serbia dhe se testet për COVID-19 nuk janë të parat.

Gaxherri e ka quajtur manipulim deklaratën e Osmanit, për të cilën ka thënë se Serbia nuk ka sjellë asnjëherë donacione pa respektuar institucionet e Kosovës, transmeton “Zeri.info”.

“Prandaj nuk bën të manipuloni me asnjërin nga ne, as kryetarja e Kuvendit, që në Kosovë qenkan futur donacione nga Serbia jashtë normave ligjore. Serbia asnjë ndihmë nuk ka sjellë në Kosovë përveç për komunitetin serb. Serbia nuk i ka dërguar Kosovës donacione, por u ka dërguar komunave serbe, institucionet e Kosovës ia kanë imponuar që ato të hyjnë përmes sistemit ligjor të Republikës së Kosovës”, ka thënë deputetja Gaxherri. /Zëri/