REL: Serbia pranon ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës
Foto: Laura Hasani

REL: Serbia pranon ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës

Aktuale June 04, 2020 - 14:22

Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, kanë konfirmuar për gazetarë burime diplomatike në Bruksel, raporton radioja “Evropa e Lirë” në gjuhën serbe.

Thuhet se autoritetet në Beograd u pajtuan në mënyrë që të kontribuojnë në atmosferën për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Si vullnet i mirë për krijimin e atmosferës së nevojshme për vazhdim të dialogut, nga palët në Beograd janë pajtuar se nuk do të vazhdojnë me këtë fushatë”, ka konfirmuar për gazetarët një burim i lartë diplomatik i BE-së, transmeton “Zeri.info”.

Zyrtarë të BE-së, që merren me procesin e dialogut, kanë thënë se fushata e Serbisë është “çështje irrituese”.

“Duhet të ndërtojmë një moment pozitiv e të mos irritojmë njëri-tjetrin”, kanë porositur nga BE-ja, siç raporton REL-i.

Diplomatët nga Brukseli vlerësojnë se të dyja palët duhet të kontribuojnë në një atmosferë konstruktive, që do të mundësojë rifillimin e dialogut. Prandaj ata besojnë se vendosja e fundit e masave të reciprocitetit nga qeveria e mëparshme e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti “nuk është në atë frymë”.

Zyrtarë të Brukselit presin nga qeveria e re t’i ndërmarrë të gjitha masat për të krijuar atmosferë pozitive rreth dialogut, i cili duhet të nisë shpejt në Bruksel, që nënkupton edhe heqjen e këtyre masave.