Hoti tregon nëse Murat Jashari do të bëhet pjesë e qeverisë së tij

Hoti tregon nëse Murat Jashari do të bëhet pjesë e qeverisë së tij

Aktuale June 04, 2020 - 14:26

Kryeministri Avdullah Hoti, me kabinetin e tij, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz në ditën e parë të punës.

Hoti atje është pritur nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

“Erdhëm për të filluar ditën e parë të punës me nderimet që i bëjmë në këtë vend të shenjtë, falënderoj kryetarin e Komunës dhe anëtarin e familjes Jashari për pritjen”, ka thënë Hoti, transmeton “Zëri.info”.

Kryeministri i sapozgjedhur është pyetur nga gazetarët edhe lidhur me propozimin e para disa ditësh për një qeveri gjithëpërfshirëse me kryeministër Murat Jasharin dhe nëse ai do të bëhet pjesë e kësaj qeverie.

“Ju kisha lutur për mirëkuptim. Emri i tij është simbol i kësaj familjeje dhe s’ka qytetar në Kosovë që nuk e respekton, por kanë ndodhur disa procese tjera kushtetuese, kemi marrë detyrën dhe do të bashkëpunojmë me të gjithë për të krijuar unitetin shoqëror, pa marrë parasysh dallimet politike që kemi”, është shprehur Hoti, transmeton “Zeri.info”.