Lëvizja FOL dënon gjuhën e Presidentit pas incidentit të djeshëm

Lëvizja FOL dënon gjuhën e Presidentit pas incidentit të djeshëm

Aktuale June 04, 2020 - 17:15

Lidhur me rastin e djeshëm të shoqërimit në Polici të aktivistit të LVV-së Veron Hasani nga Policia e Kosovës, ka reaguar edhe organizata Fol, duke e dënuar këtë veprim të stafit mbrojtës së Presidentit.

Debat Center dhe Lëvizja Fol e kanë parë si shqetësim të madh këtë veprim ndaj një qytetari, i cili, sipas këtyre organizatave, përmes fjalës së lirë ka shprehur pakënaqësitë ndaj udhëheqësve dhe udhëheqjes së shtetit, transmeton Zeri.info

"Neni 40 i Kushtetutës përcakton qartë se liria e shprehjes është e garantuar dhe ajo “përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Fol.

Tutje në reagim është thënë se stafi i sigurisë së presidentit ka shkelur liritë dhe të drejtat themelore të cilat janë të përcaktuara në nenin 23 të Kushtetues si Dinjiteti i Njeriut dhe Nenin 26 E Drejta e Integritetit Personal.

Gjithashtu FOL ka thënë se deklaratat e presidentit Thaçi, përmes të cilave ka arsyetuar veprimet e bëra nga ana e sigurimit të tij, kanë shfaq mosrespektim të të drejtave themelore të njeriut.

"Ne si organizata të shoqërisë civile promovojmë dhe punojmë çdo ditë që mendimi ndryshe, mendimi kritik dhe liria e fjalës dhe shprehjes të mos shihen si kërcënim për shoqërinë, por të kultivohen si normë shoqërorë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta". ka shkruar FOL për incidentin gjatë konferencës se Thaçit.

Në fund të reagimit Lëvizja FOL ka shkruar se në një demokraci të brishtë siç është kjo në Kosovë, cenimi i lirisë së shprehjes dhe veprimet e tilla ndaj qytetarëve është cenim i lirisë së shprehjes për të gjithë shoqërinë, "prandaj, është e rëndësishme që rastet e tilla të trajtohen me seriozitet nga institucionet përkatëse".

"Veprimet e tilla duhet të hetohen nga bartësit përkatës të institucioneve shtetërore dhe të njëjtat veprime duhet të dënohen nga komuniteti i gazetarëve", thuhet në reagimin e Lëvizjes FOL.