Mundësohet kalimi i shtetasve kosovarë të bllokuar në kufirin Slloveni-Kroaci

Mundësohet kalimi i shtetasve kosovarë të bllokuar në kufirin Slloveni-Kroaci

Aktuale June 04, 2020 - 23:35

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka njoftuar se sonte ka arritur një marrëveshje mirëkuptimi me autoritet kroate dhe ato malazeze. Kjo marrëveshje nënkupton lejimin e kalimit të autobusit në të cilin ndodhen më shumë se dhjetë shtetas kosovarë, të nisur një ditë më parë nga Italia për në Kosovë.

"Udhëtimi i organizuar nga agjencia nuk kishte kërkuar leje nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nuk ishte e informuar për masat në fuqi në vendet në të cilat planifikohej të kalonin udhëtarët transit", thuhet në njoftimin e MPJD-së, shkruan “zeri.info”.

Poashtu theksohet se ky autobus është ndaluar nga autoritetet kroate, ngase disa nga udhëtarët nuk posedonin dokumentacionin e rregullt (vizë transit ose Schengen), dhe aty ishin njoftuar po ashtu se Mali i Zi nuk i ka hapur kufijtë me Italinë (prej nga ishin nisur), ngase ky vend konsiderohet ende si vatër e COVID-19.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes kanaleve të saj diplomatike, ka arritur të sigurojë nisjen e shtetasve kosovarë të ngujuar në kufirin midis Kroacisë dhe Sllovenisë prej më shumë se 30 orësh. I ftojmë të gjithë bashkatdhetarët që përpara se të nisen drejt vendlindjes, të kontaktojnë Misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, pasi shumë shtete, si pasojë e pandemisë, kanë ende në fuqi disa masa që duhet plotësuar gjatë kalimit transit”, thuhet në njoftimin e MPJD-së./ZERI