Dënohen me burg dy nga gjashtë “gylenistët” e deportuar nga Kosova në Turqi

Dënohen me burg dy nga gjashtë “gylenistët” e deportuar nga Kosova në Turqi

Aktuale June 05, 2020 - 16:32

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vazhdimisht ka akuzuar kreun e organizatës FETO, Fethullah Gulen, si përgjegjës për përpjekjen për grushtetin e dështuar ushtarak në Turqi, më 15 dhe 16 korrik 2016.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me atë turke MIT, më 29 mars të vitit 2018, kishin deportuar gjashtë shtetas turq nga Kosova në Turqi. Kjo nën pretekstin se janë pjesëtarë të organizatës FETO, organizatë të cilën Turqia e ka shpallur terroriste.

Dy nga ta, Mustafa Erdem dhe Yusuf Karabina, sot janë dënuar me burgim.

Kështu shkruan agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency. Ata akuzohen për vepra të ndryshme nën ombrellën e organizatës FETO. AA njofton se njëri është dënuar me 15 vjet burgim, ndërsa tjetri me 8 vjet e 9 muaj.

“Mustafa Erdem është dënuar me 15 vjet burgim në akuzën ‘drejtim i një organizate të armatosur terroriste’, ndërsa Yusuf Karabina me 8 vjet e 9 muaj burgim si fajtor në akuzën ‘anëtar i një organizate të armatosur terroriste’, edhe pse fillimisht edhe ai akuzohej si ‘drejtues’ i organizatës, por gjykata kishte ulur shkallën e akuzës. Ndërkaq, të pandehurit janë liruar nga akuza për ‘spiunim’”, ka raportuar AA.