Kurti thotë se s'mund t'i nënshtrohet Grenellit

Kurti thotë se s'mund t'i nënshtrohet Grenellit

Aktuale June 05, 2020 - 21:29

 Qeveria e re e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, sot ka votuar Programin qeverisës 2020-2023. Dy nga gjashtë prioritet e këtij programi kanë të bëjnë me bisedimet me Serbinë. Aty thuhet se Qeveria e re planifikon marrjen e përgjegjësisë për të udhëhequr këtë proces të drejtuar nga BE-ja e të ndihmuar edhe nga SHBA-ja, duke u zotuar se nuk do të lejojnë ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit. Ndërsa parashihet bashkëpunim me opozitën për siç thuhet, çështjet vitale për interes të vendit, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë. Për t’u ralizuar këto prioritete nevojitet edhe bashkëpunimi i opozitës, gjë e cila nuk pritet të ndodhë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, e ka kontestuar këtë Qeveri në raport me dialogun duke thënë se ajo nuk ka kapacitet për t’u përballur me Serbinë. Bashkë me këtë deklaratë ai e ka përfshirë edhe presidentin e vendit, Hashim Thaçi, shkruan Zëri.

“Këta e dijnë se çfarëdo marrëveshje që do ta bëjnë, eventualisht nuk do të vlejë as sa çmimi i letrës, në të cilën është shkruar dhe çmimi i ngjyrës me të cilën kanë nënshkruar. Pra këta nuk guzojnë të bëjnë marrëveshje me Serbinë. Ky pushtet nuk e ka kapacitetin për t’u përballur me Serbinë dhe nuk e ka legjitimitetin për të dialoguar me të”, ka deklaruar Kurti.

Duke apostrofuar të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Kurti thotë se nuk mund t'i nënshtrohet atij.

“Unë jam gjithmonë i gatshëm për dialog, por jo për dialog ku tupanin e ka Serbia. Unë dua barazi, reciprocitet. Duhet të diskutojmë se çka do të diskutojmë. Unë nuk jam as për armiqësi as për servilitet. Jam për partneritet dhe aleancë me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës e me NATO-n dhe sidomos me Gjermaninë. Mirëpo unë nuk mund të nënshtrohem e dorëzohem çka të thotë ambasadori Grenell, sepse ia paska thënë presidenti Vuçiq kur ka qenë në Beograd, e unë ta pranoj këtu. Unë këtë s’e bëj kurrë”, është shprehur ai./Zëri/