Assesi të rritet numri i grave në ekzekutiv
Foto: Laura Hasani

Assesi të rritet numri i grave në ekzekutiv

Aktuale June 06, 2020 - 10:07

Qeveria e re në krye me Avdullah Hotin, tashmë është në hapat e parë drejt asaj që mëton ta bëjë e që është rimëkëmbja ekonomike e vendit pas krizës epidemiologjike dhe politike.

Kjo qeveri e zgjedhur me 61 vota nga 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, tashmë ka ndarë edhe postet ministrore.

Nga 16 ministri sa ka kjo qeveri, vetëm katër gra kanë gjetur vend në poste të larta ekzekutive: Albulenë Halimi-Balaj, zëvendëskryeministre, Meliza Haradinaj-Stublla, ministre e Punëve të Jashtme, Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës dhe Hykmete Bajrami, ministre e Financave.

Në lidhje me këtë çështje, analisti politik Belul Beqaj, në një prononcim për “Zërin”, ka thënë se në Kosovë vitet e fundit ka një rritje të vullnetit për përfshirjen e gruas në vendimmarrje.

Sa i përket udhëheqjes së një ministrie, ai mendon se ka shumë gra që gëzojnë aftësi për të menaxhuar shumë më mirë se disa burra në krye të ministrive që sipas tij nuk i meritojnë ato pozita.

“Besoj se më e rëndësishme se gjinia është aftësia menaxheriale e atyre që janë në qeveri. Në Kosovë viteve të fundit ka rritje të dukshme të gjinisë femërore të cilat janë ndoshta edhe me të afta se disa burra të cilët janë në pozita të cilat nuk i meritojnë”, deklaron Beqaj.

Në anën tjetër, analisti politik, Krenar Shala, për “Zërin” ka thënë se kjo qeveri vetëm e ka vazhduar ritmin e 20 viteve të fundit të qeverisjes në vend me po të njëjtin mentalitet.

“Sa i përket përfshirjes së grave, mendoj që kjo qeveri është konform mentalitetit qeverisës që ka qenë gjatë 20 viteve të kaluara”, tha ai.

Që nga pavarësia e Kosovës e deri tani, në asnjë qeveri numri i grave ministre nuk ka kaluar mbi pesë, përkundër se numri i ministrive ka ditur të shkojë në mbi 20.

Organizata të shoqërisë civile në vazhdimësi kanë kërkuar rritje meritore të numrit të grave në vendimmarrje./ZËRI