Osmani: Virusi vret, mos u besoni atyre që thonë nuk ekziston

Osmani: Virusi vret, mos u besoni atyre që thonë nuk ekziston

Aktuale July 04, 2020 - 21:24

Gjatë ditës së sotme, nga COVID-19, në vendin tonë humbën jetën 6 persona.

Për këtë shifër, e cila shënon rekord ditor të vdekjeve në Kosovë, ka shkruar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas Osmanit, dita e sotme është e rëndë për Kosovën. Ajo kërkoi që të merret më seriozisht situata e pandemisë si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet.

“Qeveria duhet mos ta mbajë më peng Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19, të cilin e kemi inicuar dhe hartuar në Kuvend qysh në prill, por ta sjellë urgjentisht në mënyrë që të mund ta amandamentojmë dhe pastaj miratojmë. Ky ligj është posaqërisht i nevojshëm për t’i dhënë kompetenca shtesë organeve ligj-zbatuese në mënyrë që të ndërmerren masa strikte për parandalimin e pandemisë”, shkruan Osmani në një postim në ‘Facebook”.

Kryetarja e Kuvendit thekson se virusi ekziston dhe kërkon nga qytetarët që ta besojnë atë.

“Ky virus vret. Mos u besoni atyre që thonë se nuk ekziston. Mos u besoni as atyre që e minimizojnë rrezikun. Prandaj të kujdesemi secili për veten e familjet tona duke mbajtur maska, distancë e higjienë”, shprehet ajo.

Osmani ngushëlloi familjet e personave të cilët ndërruan jetë sot nga sëmundja./Zëri