4 625 zyrtarë kanë bërë deklarimin e pasurisë

4 625 zyrtarë kanë bërë deklarimin e pasurisë

Aktuale July 08, 2020 - 14:47

Në përputhje me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë, Agjencia Kundër Korrupsionit njofton se deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë ka përfunduar dhe nga gjithsej 4721 zyrtarë të lartë publikë, deklarimin vjetor të pasurisë e kanë bërë gjithsej 4625 zyrtarë të lartë publikë, ose (97%,96), duke përmbyllur kështu procesin e deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë.

Procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë ka filluar më 03.03.2020, por duke pasur parasysh situatën e krijuar me COVID-19, konform udhëzimeve dhe rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Qeverisë së Kosovës, AKK-ja ka shtyrë afatin e deklarimit të pasurisë deri më 19.06.2020, duke ofruar mundësi dhe kohë të mjaftueshme për të gjithë zyrtarët e lartë publikë për deklarimin e pasurisë.

Nga numri i përgjithshëm prej 4721 të zyrtarëve të lartë publikë që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4625 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 63 zyrtarë të lartë publikë kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, 6 nga zyrtarët nuk e kanë deklaruar pasurinë me arsye, ndërsa 27 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani.

Duke e marrë parasysh situatën me COVID-19, si dhe mbarëvajtjen e procesit të deklarimit të pasurisë gjatë kësaj kohe, Agjencia Kundër Korrupsionit u bën thirrje zyrtarëve të lartë publikë që janë të përfshirë në listat e publikuara dhe që kanë ndonjë shqetësim për informatat e publikuara nga AKK-ja të kontaktojnë Agjencinë Kundër Korrupsionit në numrat e telefonit: 038/518-964 dhe 038/518-912, ose në e-mail adresën: [email protected], me qëllim të evitimit të gabimeve ose lëshimeve eventuale, sepse shumica e formularëve të deklarimit të pasurisë janë pranuar në mënyrë elektronike në e-mail adresa të ndryshme të AKK-së.