Reagon Bukoshi: Duke përdorur Gjykatën Speciale nuk mund të diktohet politika në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Reagon Bukoshi: Duke përdorur Gjykatën Speciale nuk mund të diktohet politika në Kosovë

Aktuale July 08, 2020 - 15:00

Ish-kryeministri i parë i Kosovës, Bujar Bukoshi, ka reaguar pas njoftimit për dorëzimin e aktakuzave ndaj disa ish-drejtuesve të UÇK-së.

Në një deklaratë të lëshuar për opinion ai ka thënë se Gjykata Speciale po përdoret për të diktuar politikën ditore në Kosovë dhe kjo, sipas tij, mund të dëmtojë edhe drejtësinë, edhe politikën.

“Përpjekja për të kriminalizuar luftën, si një nga instrumentet kryesore të lirisë së Kosovës, është përpjekje për të zhbërë legjitimitetin e lirisë së Kosovës”, ka thënë Bukoshi, transmeton “Zëri.info”.

Bukoshi ka thënë se të nxjerrësh në plan të parë papërgjegjësi të ndodhura gjatë luftës dhe pasluftës, duke inkriminuar gjithë zinxhirin komandues të rezistencës shqiptare, do të thotë të humbësh sensin e drejtësisë për atë që ka ndodhur në Kosovë.

“Në Kosovë dështoi drejtësia e importuar nga Perëndimi në emër të shtetit të së drejtës dhe po ashtu do të dështojë drejtësia e eksportuar në perëndim, në emër të ndëshkimit të shqiptarëve”, ka thënë ai.

Sipas Bukoshit, UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj nuk mund të bëhen ushqim për politikat e ditës në Kosovë, Serbi, por edhe në Perëndim.

“Kush mendon se duke përdorur Gjykatën Speciale mund të diktojë politikën në Kosovë dëmton edhe, drejtësinë edhe politikën. Kosova është mësuar t’ia dalë sa herë drejtësia ka qenë mjet politik kundër shqiptarëve”, ka thënë në fund të deklaratës së tij Bukoshi. / Zëri.info.