Ministri Selimi reagon pas dorëheqjes së shtatë anëtarëve të Grupit të Ekspertëve në procesin e vetingut

Ministri Selimi reagon pas dorëheqjes së shtatë anëtarëve të Grupit të Ekspertëve në procesin e vetingut

Aktuale July 08, 2020 - 15:49

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, është deklaruar pas dorëheqjes së shtatë anëtarëve të Grupit të Ekspertëve në procesin e vetingut.

Sipas tij, ditë më parë është zhvilluar një takim me Grupin e Ekspertëve, ku është diskutuar për hapat se si të vazhdohet më tutje. Selimi ka thënë se madje është lënë e hapur mundësia që ky grup të jetë pjesë e të gjitha institucioneve të Kosovës.

“Bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanajn ditë më parë kemi zhvilluar takim me Grupin e Ekspertëve për dizajnimin e parimeve udhëheqëse dhe skenarëve të reformës së vetingut, me qëllim që të informohemi për progresin e arritur dhe për të diskutuar hapat se si të vazhdojmë tutje”, ka thënë ai në reagimin e tij në rrjetin social “Facebook”.

Pas këtij takimi Selimi ka bërë të ditur se kanë lënë të hapur mundësinë që ky grup të jetë pjesë e një gjithëpërfshirjeje të të gjitha institucioneve që janë hisedarë të drejtësisë dhe partnerëve strategjikë të Kosovës.

Në lidhje me këtë çështje Selimi ka paralajmëruar se do të mbajë konferencë për media, ku do t’i shpjegojë arsyet dhe propozimin e ri. /Zëri.info