Vuçiq: Pala shqiptare doli me kërkesa të pakuptimta në Samitin e Parisit
Foto: Alleksandar Vuçiq / Instagram

Vuçiq: Pala shqiptare doli me kërkesa të pakuptimta në Samitin e Parisit

Aktuale July 10, 2020 - 12:26

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se takimi virtual në Paris ka qenë i vështirë, ndërsa shtoi se gjermanët dhe francezët do të dalin me një deklaratë të përbashkët nga takimi.

Para gazetarëve pas përfundimit të Samitit Vuçiqi tha se Serbia nuk pranon ultimatumet e Kosovës dhe se u përpoq të kishte paraqitje të guximshme.

“Pala shqiptare ka dalë me kërkesa, që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe e Kushtetutës së Kosovës, njohja e përhershme e ndërsjellë, anëtarësimi i Prishtinës në OKB dhe që vendet tjera ta njohin Kosovën dhe më pas ata do të merren me viktimat. Unë thashë që të gjitha këto janë të pakuptimta, se jam i gatshëm të flas dhe të ndërmarrim hapa të vegjël”, tha Vuçiqi, raporton “B92”, transmeton “Zeri.info”.

Ai shtoi se dialogu do të vazhdojë në Bruksel.

Vuçiqi tha se Serbia do të ekspozohet ndaj presioneve të mëdha dhe në të njëjtën kohë do të hasin në një “qasje krejtësisht jorealiste të shqiptarëve të Kosovës, që do të donin gjithçka dhe Serbia do të mbetej pa asgjë”.

Sipas tij, vazhdimi i dialogut do të jetë nën udhëheqjen e përfaqësuesit special për BE-në, Mirosllav Lajçak, dhe se, sipas tij, “kjo ka rëndësi për ne”.

Tutje, kreu i shtetit serb tha se Serbia i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit, ndërsa Kosova jo.

Vuçiqi ka kërkuar që të shkruhet në dokumente se po zhvillohet dialogu “Beograd-Prishtinë” e jo “Serbi-Kosovë”.

“Ata që kanë menduar t’ia marrin Serbisë të gjitha e Serbia të mos fitojë asgjë... argumentimi ynë ishte i hekurt, ishim shumë mirë të përgatitur për samit”, tha ai.