Infektuar: 10988
Shëruar: 6616
Vdekur: 373
Edhe në Maqedoninë e Veriut, sektori i turizmit më i prekuri nga pandemia

Edhe në Maqedoninë e Veriut, sektori i turizmit më i prekuri nga pandemia

Aktuale August 02, 2020 - 10:22

Në Maqedoninë e Veriut është kryer një studim mbi efektet e shkaktuara nga COVID-19 në sektorin e turizmit dhe hotelierisë me rekomandime për trajtimin e efektve ekonomike. Hulumtimi u krye nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, Oda Ekonomike e Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit – MASIT dhe Shoqata e Odave të Tregtisë së Maqedonisë.

Studimi tregon se në periudhën gusht-shtator në mënyrë masive po anulohen aranzhmanet, ndërkohë që ka edhe rënie drastike të numrit të turistëve të huaj në vend.

Shumicës së kompanive të turizmit dhe hotelierisë do t’u duhej të paktën gjashtë muaj deri në një vit për t’u rikuperuar nëse pandemia COVID-19 përfundon deri në fund të vitit.

Studimi parashikon dy skenarë. Sipas skenarit të parë, nëse kriza përfundon deri në fund të këtij viti, në varësi të efektit të masave që do të merren, nga puna do të pushoheshin 2 deri në 12 mijë persona, ndërsa rënia e turizmit do të jetë afër 200 milionë dollarë ose mbi 50 për qind e parashikimeve të planifikuara dhe në bazë të kësaj, rikuperimi nga kriza do të ndodhte në vitin 2023.

Sipas skenarit të dytë, nëse kriza vazhdon pas vitit 2020, 4 mijë deri në 20 mijë vende pune do të humben, rënia do të jetë mbi 80 për qind dhe rikuperimi do të pritet në vitin 2027.

Pothuajse 100 për qind e hoteleve kanë anuluar rezervimet për muajin prill, maj dhe qershor, ndërsa për muajin korrik ka anulime në rezervime grupore tek 89 për qind e hoteleve, për muajin gusht tek 69 për qind e hoteleve, për muajin shtator tek 50 për qind e hoteleve, ndërkohë që anulime ka edhe për muajin dhjetor të këtij viti, si dhe janar të vitit 2021.

Me qëllim për të përmirësuar situatën në sektorin e turizmit, studimi thekson se është e nevojshme të stimulohet turizmi i brendshëm, duke prezantuar aranzhime të veçanta të subvencionuara dhe duke zhvilluar një fushatë të fortë për të inkurajuar turizmin vendas.

Nga kriza e shkaktuar nga COVID-19, artizanët po ashtu janë të prekur, situata reale pasqyron situatën në terren. Një nga vendet më të vizituara nga turistët që vijnë në Shkup është Çarshia e Vjetër e këtij qyteti, ku zejtarët thonë se tashmë disa muaj kanë qenë në skaj të mbijetesës dhe se në këtë mënyrë mund të mbahen vetëm edhe një muaj e gjysëm. Më vonë, nëse nuk ndryshon situata, ata thonë se do të detyrohen t’i mbyllin dyqanet e tyre, siç kanë bërë tashmë shumica e dyqaneve të çarshisë.

Të dhënat nga Zyra e Statistikave Shtetërore tregojnë se numri i turistëve ka rënë ndjeshëm. Në maj të këtij viti, 838 turistë vizituan vendin, shifër e cila është 99,2 për qind më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.