Licencohen 33 laboratorë privatë, nga java e ardhshme fillojnë testimet
Foto:Laura Hasani

Licencohen 33 laboratorë privatë, nga java e ardhshme fillojnë testimet

Aktuale August 07, 2020 - 15:49

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për media tha se ndryshimi i kohës dhe reshjet e shiut ditëve të fundit kanë ndihmuar në zvogëlim të numrit të të infektuarve për shkak të lëvizjes më të rrallë të qytetarëve.

Ai tha se MSH-ja ka arritur të kryejë licencimin e laboratorëve privatë për testime për COVID-19, raporton “Zeri.info”.

Pas hapjes së procesit të licencimit ai njoftoi se kanë aplikuar 123 institucione private shëndetësore për licencim të shërbimit të testimit.

“Sa i takon MSH-së dhe rritjes së kapaciteteve të testimeve, po shkojmë drejt realizimit të premtimit që e kemi filluar muajin e kaluar, po shkojmë drejt realizimit të tij dhe rritjes së këtyre kapaciteteve në dy nivele, në nivelin e sektorit publik dhe në nivelin e sektorit privat të licencimit të laboratorëve privatë”, tha ai.

Zemaj ka treguar se nga 123 institucione private që kanë kërkuar licencim për shërbim të testimit vetëm 33 nga 37 aplikacionet e shqyrtuara janë aprovuar dhe dëshmojnë se kanë kushtet që të fillojnë testimet.

“Pas hapjes së procesit të licencimit kanë aplikuar 123 institucione private shëndetësore për licencim të shërbimit të testimit, deri tash bordi ynë i licencimit ka shqyrtuar 37 aplikacione, prej të cilave 33 i kanë plotësuar kushtet dhe mund të fillojnë me testime që nga java e ardhshme. Ne kemi angazhuar inspektoratin shëndetësor që edhe një herë ta bëjë inspektimin dhe vlerësimin, nëse kjo mbikëqyrje garantohet do të kalojmë në fazën e realizimit të testimeve edhe në këto laboratorë”, tha Zemaj.